Është bërë zyrtare ndarja mes Claudio Ranierit dhe klubit të Romës. Pas zërave të shumtë që qarkulluan gjatë orëve të fundit, verdhekuqtë konfirmuan përfundimin e bashkëpunimit nëpërmjet një komunikate. Në njoftimin zyrtar, Roma falënderon Ranierin për kontributin e tij në një periudhë të vështirë për skuadrën, duke theksuar se ai udhëhoqi ekipin në momente delikate dhe se klubi do t’i jetë gjithmonë mirënjohës për punën e bërë.
Nga ana tjetër, drejtuesit kanë bërë të qartë se besojnë plotësisht në projektin e ardhshëm nën drejtimin teknik të trajnerit Gian Piero Gasperini, me synimin për rritje dhe rezultate në përputhje me historinë e klubit. Sipas raportimeve, pronarët e Romës, familja Friedkin e kanë marrë vendimin pasi u bë e qartë se marrëdhënia mes Ranierit, në rolin e këshilltarit kryesor dhe trajnerit Gasperini ishte përkeqësuar ndjeshëm javët e fundit.
Tensionet mes tyre kishin nisur prej kohësh, por situata u rëndua veçanërisht pas merkatos së janarit, ku mosmarrëveshjet për menaxhimin e ekipit dhe çështje të tjera brenda klubit krijuan përplasje të vazhdueshme. Një nga pikat e debatit lidhej me menaxhimin e lojtarëve të dëmtuar dhe punën e stafit mjekësor, për të cilin Gasperini kishte shprehur pakënaqësi.
Po ashtu, raportet u tensionuan edhe për çështjet e merkatos dhe bashkëpunimin me drejtuesit sportivë. Pas këtij zhvillimi të rëndësishëm në klubin kryeqytetas, mediat italiane raportojnë se edhe drejtori sportiv Riky Massara pritet të largohet.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)