Ambasadori i Iranit në Gjermani, Majid Nili, i ka kërkuar qeverisë gjermane sqarime lidhur me përdorimin e bazë ajrore ‘Ramstein’ nga SHBA-të.
Ai ngriti pyetjen nëse përdorimi i kësaj baze për sulme të mundshme ndaj Iranit mund të konsiderohet “agresion” sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 3314.
“Nuk e dimë ende nëse i referohet Ramstein apo jo?”, shtroi pyetjen ai.
Ramstein, e vendosur në landin Rheinland-Pfalz, është baza më e madhe ajrore amerikane në Evropë dhe një qendër kyçe logjistike për operacionet ushtarake. Ish-zyrtari i NATO-s, William Alberque, thekson se “Ramstein quhet edhe porta për në Evropë”.
“Nga këtu, fluturimet vazhdojnë drejt Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Ramstein nuk është një qendër për operacione luftarake”, thekson ai.
Megjithatë, roli i saktë i bazës në operacionet kundër Iranit mbetet i paqartë. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi se aktualisht nuk ka arsye për shqetësim.
“Për momentin nuk shoh asnjë arsye për të dyshuar në ligjshmërinë e përdorimit të Ramstein.”
Nga ana tjetër, ekspertët theksojnë se Gjermania do ta kishte shumë të vështirë të kufizonte përdorimin amerikan të bazës, për shkak të marrëveshjeve të NATO-s dhe atyre dypalëshe. Edhe nëse do të merrej një vendim i tillë, ai do të kërkonte një periudhë tranzicioni prej dy vitesh.
Ramstein ka qenë shpesh në qendër të kritikave edhe për rolin e saj në kontrollin e dronëve luftarakë amerikanë. Në një rast të mëparshëm lidhur me sulme në Jemen, Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë vendosi në vitin 2025 se përdorimi i bazës ishte ligjor, por theksoi se kjo nuk përbën një leje të pakufizuar për operacione të tilla.
Ndërkohë, ish-kancelari Gerhard Schröder mbrojti qëndrimin aktual të Berlinit, duke kujtuar përvojën e tij gjatë luftës në Irak.
“A duhet ta mbyll aeroportin? Kjo do të thoshte fundi i marrëdhënieve gjermano-amerikane. Sigurisht që ua vumë në dispozicion aeroportet dhe miratuam fluturimet, por gjëja e rëndësishme është se ne nuk morëm pjesë në luftë”, deklaroi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)