Nga Maliqi, ku në cilësinë e drejtuesit politik për qarkun e Korçës, nisi sot turin e takimeve të quajtuar “Punët për Shqipërinë”, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi komentoi edhe zërat për përplasje në Partinë Socialiste.
Peleshi e pranoi se në mbledhjet e mazhorancës socialiste ka pasur diskutime të shtuara, por i cilësoi si thashetheme, zërat për përçarje mes disa figurave kryesore, të nxitura edhe nga debati i djeshëm mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiropali.
"Nëse i referoheni thashethemeve, unë nuk mund të komentoj thashetheme pa substancë politike. Nuk di ç’do të thotë përçarje. Natyrisht ka diskutime. Orë të gjata diskutimi kemi pasur dje dhe kjo besoj është e shëndetshme. Natyrisht që s’mund të quhet përçarje diskutimi. Ne nuk jemi një formacion ushtarak pa mendime dhe pa frymë diskutimi dhe pa demokraci të brendshme, por mendoj që ju i referoheni disa thashethemeve të cilat s’kanë lidhje fare me substancën politike të zhvillimeve të brendshme të një partie politike. Këto janë thashetheme pa asnjë kontekst politik", deklaroi Peleshi.
Kujtojmë se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS, zhvilluar dje në Pallatin e Brigadave, u raportua për momente tensioni mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali.
Sipas burimeve nga mbledhja, situata u ndez gjatë raportimit të drejtoreshës së Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ku Spiropali përdori telefonin dhe Rama i tërhoqi vëmendjen duke i kërkuar të respektonte folësit.
Incidenti u shtua më tej gjatë raportimit të ministres së Shtetit për Parlamentin, Erjona Ismaili, kur Spiropali u duk se po nënqeshte. Kryeministri i kërkoi asaj të mos ndërhynte dhe të mos bënte komente përndryshe do ta nxirrte përjashta.
Spiropali iu përgjigj Ramës me fjalët: “Thuaje çfarë ke për të thënë” dhe më pas kërkoi që ministrja Ismaili të kërkonte ndjesë për tonet e përdorura. Ndërhyrja e Erion Braçes qetësoi situatën dhe riktheu diskutimin në normalitet.
Tensionet në mesin e socialistëve janë vënë re edhe më herët gjatë kësaj javë, përfshirë një përplasje të Spiropalit me Taulant Ballën lidhur me mungesën e saj gjatë seancës për votimin e imunitetit të Belinda Ballukut.
Spiropali kishte kërkuar hapur një diskutim të plotë dhe vendimmarrje kolektive në grupin parlamentar, duke theksuar rëndësinë e respektimit të qëndrimeve të formuara përmes debatit të hapur.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)