Aeroplanmbajtësja bërthamore amerikane ‘USS Gerald R. Ford’ pas disa ditëve qëndrimi në Kretë është ankoruar pranë portit të Splitit në Kroaci. Lëvizja e “bishës” amerikane nga fronti i luftës drejt Mesdheut erdhi pas një periudhe të trazuar që përfshiu edhe një zjarr në bord, probleme teknike, bllokimin e tualteve dhe angazhimin në operacione ushtarake në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve nga Reuters dhe Sky News, disa qindra marinarë të aeroplanmbajtëses kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të thithjes së tymit, pasi një zjarr shpërtheu në lavanderinë e anijes gjatë operacionit “Epic Fury” për goditjen e Iranit. Tre marinarë u plagosën, ndërsa flakët u vunë nën kontroll vetëm pas 30 orësh betejë me to.
Autoritetet ushtarake amerikane theksuan se incidenti nuk ishte i lidhur drejtpërdrejt me luftën, megjithëse anija ishte e angazhuar në operacionet e SHBA-së kundër Iranit.
Përveç zjarrit, aeroplanmbajtësja është përballur edhe me vështirësi të vazhdueshme teknike. Raportohet për probleme me sistemet hidraulike, të cilat kanë ndikuar në funksionimin e rreth 650 tualeteve në bord, duke krijuar një sfidë serioze për ekuipazhin e madh.
Para mbërritjes në Kroaci, anija iu nënshtrua një vlerësimi teknik në bazën detare të SHBA-së në Gjirin e Sudës në Greqi, ku inxhinierët detarë analizuan dëmet, ndërsa hetimet për zjarrin vijojnë nga autoritetet ushtarake dhe federale.
Sipas The Times of Israel, “USS Gerald R. Ford” ishte një nga elementët kyç në një fushatë të gjerë ajrore kundër Iranit në fund të shkurtit. Prania e saj në rajon shihet si pjesë e strategjisë amerikane për të rritur presionin ndaj Teheranit, gjatë administratës së Donald Trump.
Anija kishte qenë më parë e vendosur edhe në Karaibe, në kuadër të tensioneve me Venezuelën.
Ndërsa kanalet zyrtare të Marinës Amerikane theksojnë se ndalesa në Split është një “pushim i merituar” për ekuipazhin, burime të tjera sugjerojnë se vizita lidhet edhe me nevojën për mirëmbajtje dhe adresim të problemeve serioze teknike.
Mbërritja e saj në Kroaci krijon gjithashtu një boshllëk të përkohshëm në praninë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, ku ajo operonte së bashku me USS Abraham Lincoln.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)