Lufta hyn në muajin e dytë, Izraeli bombardon depot e raketave në Teheran, ka viktima

Ushtria izraelite deklaroi në platformën X se ka realizuar një sulm në shkallë të gjerë ndaj infrastrukturës iraniane në zemër të Teheran. Sipas deklaratës, janë goditur “dhjetëra depo armësh dhe vende prodhimi”, si dhe janë çmontuar “qendra komanduese të lëvizshme.

29.03.2026. 08:54

Lufta hyn në muajin e dytë, Izraeli bombardon depot e raketave në Teheran, ka viktima

Lufta në Lindjen e Mesme hyn në muajin e dytë, ndërsa tensionet mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara po përshkallëzohen ndjeshëm, me sulme të reja ajrore dhe kërcënime për operacione tokësore.

Sipas mediave shtetërore iraniane, një qytet port pranë Ngushticës së Hormuzit është goditur nga sulme me raketa të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli. Autoritetet lokale konfirmuan se të paktën pesë persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën në sulmin ndaj qytetit portual Bandar Pol, në provincën Hormozgan.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi në platformën X se ka realizuar një sulm në shkallë të gjerë ndaj infrastrukturës iraniane në zemër të Teheran. Sipas deklaratës, janë goditur “dhjetëra depo armësh dhe vende prodhimi”, si dhe janë çmontuar “qendra komanduese të lëvizshme, përfshirë komandantë që operonin brenda selive”. Objektivat e IDF-së përfshinin gjithashtu sisteme të mbrojtjes ajrore, depo të raketave balistike dhe poste vëzhgimi.

Në Iran, situata mbetet e paqëndrueshme. Sipas një gazetari të AFP, dy shpërthime të fuqishme u dëgjuan në veri të Teheranit në orët e para të së dielës, ndërkohë që mbrojtjet ajrore ishin aktive.

Ndërkohë, tensionet janë reflektuar edhe në territorin izraelit. Sirenat e alarmit janë aktivizuar në rajonin e Negevit dhe zonën e Detit të Vdekur, pasi një raketë iraniane u kap nga sistemet mbrojtëse izraelite, raportoi Channel 12.

Ndërkohë, sipas The Washington Post, Pentagoni po përgatitet prej javësh për mundësinë e operacioneve tokësore në Iran, në rast se presidenti Donald Trump vendos të përshkallëzojë më tej konfliktin. Burimet theksojnë se nuk bëhet fjalë për një pushtim të plotë, por për inkursione të kufizuara nga forca speciale dhe njësi këmbësorie.

“Është detyra e Pentagonit të bëjë përgatitje për t’i paraqitur të gjitha opsionet komandantit të përgjithshëm. Kjo nuk do të thotë që presidenti ka vendosur”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Situata në rajon mbetet tejet e tensionuar, me rrezikun e një përshkallëzimi më të gjerë që mund të përfshijë aktorë të tjerë ndërkombëtarë dhe të destabilizojë më tej Lindjen e Mesme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)