“Mos dil çdo ditë në televizior”, Macron “majë më majë” me Trump: Duhet qasje serioze për luftën

Emmanuel Macron kritikoi qëndrimet e paqarta të administratës së Donald Trump, duke kërkuar më shumë seriozitet dhe qëndrueshmëri në trajtimin e luftës me Iranin.

Burimi: BBC

03.04.2026. 08:15

“Mos dil çdo ditë në televizior”, Macron “majë më majë” me Trump: Duhet qasje serioze për luftën

Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po menaxhohet komunikimi rreth luftës me Iranin nga homologu i tij amerikan Donald Trump, duke kërkuar një qasje më serioze dhe të qëndrueshme.

Gjatë një vizite zyrtare në Korenë e Jugut, ai theksoi se situata nuk duhet trajtuar si një spektakël politik, por si një çështje jetike që lidhet me luftën, paqen dhe jetët e njerëzve.

Macron kritikoi indirekt administratën e Donald Trump për mesazhet e paqarta dhe të ndryshueshme gjatë konfliktit.

Ai nënvizoi se deklaratat që ndryshojnë nga dita në ditë nuk ndihmojnë në menaxhimin e një krize kaq të rëndë dhe mund të krijojnë pasiguri të mëtejshme në skenën ndërkombëtare.

“Kur dëshiron të jesh serioz, nuk mund të thuash çdo ditë të kundërtën e asaj që ke thënë një ditë më parë”, u shpreh presidenti francez, duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi në komunikimin publik.

Ai shtoi gjithashtu se ndonjëherë është më mirë të shmanget komunikimi i shpeshtë dhe t’i lihet hapësirë diplomacisë për të vepruar në mënyrë më të qetë dhe efektive.

Një ditë më parë, Trump u mor personalisht me çiftin Macron, duke rikthyer në vëmendje pamjet e videos së publikuar në maj 2025, ku Brigitte Macron dukej sikur qëllonte me shuplakë presidentin francez pak para se të zbrisnin nga avioni presidencial në Vietnam.

Sulmi i Trump erdhi pas qëndrimit të Emmanuel Macron për luftën me Iranin, në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, ku ai përsëriti se "lufta do të vazhdojë për 2-3 javë të tjera".

“E thirra Francën, Macron, gruaja e tij e keqtrajton, ai ende e kujton shuplakën që i dha ajo", tha Trump duke shkaktuar të qeshura tek të pranishmit.

Pas këtij konstatimi, Trump vazhdoi duke thënë: “I thashë, ‘Emmanuel, do të donim të na ndihmonit në Gjirin Persik, edhe pse kemi një rekord të shkatërrimit të të këqijve dhe raketave balistike. Do të donim të na vinit në ndihmë. Nëse mundesh, a mund të dërgosh anije menjëherë?’ Ai më tha, ‘Jo jo jo, nuk mund ta bëjmë këtë, Donald. Mund ta bëjmë këtë pasi të fitohet lufta’, dhe unë i thashë, ‘Jo jo, nuk kam nevojë për to pasi të fitohet lufta, Emmanuel”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)