Besimtarët katolikë në Shqipëri dhe në mbarë botën kremtojnë sot Pashkët, festën e ringjalljes së Krishtit, një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit fetar, të shoqëruar me mesazhe shprese, paqeje dhe uniteti.
Në Tiranë, qindra besimtarë u mblodhën në katedralen “Shën Pali”, ku pak pas orës 22:00 të së shtunës nisi vigjilja e Pashkës, një nga ceremonitë më të rëndësishme të kësaj feste.
“U ringjall!”, tha Imzot Arjan Dodaj para besimtarëve duke njoftuar se pas vigjiljes, e cila bashkon ditën dhe natën, nis dita e re.
Arqipeshkvi përcolli edhe një mesazh për besimtarët duke thënë: “Një Pashkë të shenjtë që të jetë rilindje në shpirt në familjet tona, në çdo të ri e të re shqiptare. Me Zotin çdo shpresë e vdekur ringjallet e merr jetë me më shumë dritë, entuziazëm për të sotmen e të ardhmen. Kush beson, kurrë nuk i trembet jetës, së ardhmes, kurrë nuk u shmanget sfidave.”
Festimet kulmojnë mëngjesin e së dielës me meshën e Pashkës, ndërsa besimtarët ndjekin traditat, duke nisur ditën me vezë dhe bukë të bekuar. Një nga momentet simbolike mbetet thyerja e vezëve të kuqe, e cila shoqërohet me urime për shëndet dhe mbarësi. Më pas, familjet mblidhen rreth tryezës për të festuar me gatime tradicionale si mish i pjekur, byrekë dhe lakror.
Kjo festë vjen pas periudhës 40-ditore të Kreshmës, gjatë së cilës besimtarët kufizojnë ushqimin në kujtim të sakrificës së Krishtit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)