“Rama ka vendosur taksën më të lartë në botë për naftën”, Berisha: Kryeministri mashtroi edhe ditën e Pashkëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj qeverisë, duke e akuzuar për rritjen e çmimit të naftës dhe duke bërë thirrje për protestë më 17 prill.

05.04.2026. 17:38

“Rama ka vendosur taksën më të lartë në botë për naftën”, Berisha: Kryeministri mashtroi edhe ditën e Pashkëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj qeverisë, duke e akuzuar për rritjen e çmimit të naftës dhe duke bërë thirrje për protestë më 17 prill.

Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Berisha fillimisht uroi besimtarët për festën e Pashkëve, por më pas u ndal te situata ekonomike në vend, duke sulmuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama. Ai e akuzoi këtë të fundit se vijon të mashtrojë qytetarët lidhur me çmimet e larta të karburanteve.

“Edi Rama sot u rrek përsëri të mashtrojë shqiptarët lidhur me çmimin stratosferik të naftës. E vërteta dhe njëherë ta dini të dashur qytetarë, se kjo qeveri ka vendosur mbi naftën, taksën absolutisht më të lartë në botë. Kjo qeveri takson si asnjë qeveri tjetër e planetit, 60% të çmimit me të cilin shitet nafta në treg dhe merr në çdo litër naftë 1.1 euro”, u shpreh Berisha.

Ai e cilësoi si të pamjaftueshme ndërhyrjen me akcizën, duke theksuar se ulja e ndjeshme e barrës fiskale do të ishte e vetmja mënyrë për të stabilizuar çmimet dhe për të ndihmuar qytetarët dhe fermerët.

Në vijim, Berisha foli edhe për procesin e integrimit europian, duke akuzuar qeverinë për bllokimin e raportit të IBAR dhe negociatave me Bashkimin Europian. Sipas tij, përgjegjësia nuk i takon opozitës, por mazhorancës që, sipas tij, përdor “83 mandate krimi” për të mbrojtur korrupsionin dhe çështjen që lidhet me zv.kryeministren Belinda Balluku dhe institucionin AKSHI.

Ai theksoi se numri i vendeve që po bllokojnë procesin është rritur, duke e konsideruar këtë si një sinjal të qartë për mungesën e progresit në integrim. Sipas Berishës, me qeverinë aktuale, Shqipëria nuk mund të avancojë drejt Bashkimit Europian.

Ai u ndal edhe te gjendja e fermerëve, duke e cilësuar situatën si “rënie të lirë” dhe rezultat të politikave të gabuara fiskale dhe mungesës së mbështetjes.

Berisha bëri thirrje që më 17 prill qytetarët të dalin në protestë, duke e cilësuar këtë si një reagim të domosdoshëm ndaj, sipas tij, keqqeverisjes dhe rritjes së kostos së jetesës në vend.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)