PS rrëzon kërkesat e opozitës për komisione hetimore për rrugët e shembura dhe AKSHI-n

Debate në Konferencën e Kryetarëve për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

07.04.2026. 15:25

PS rrëzon kërkesat e opozitës për komisione hetimore për rrugët e shembura dhe AKSHI-n

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për projektkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 13-30 prill u mbyll pa dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës. Partia Socialiste rrëzoi dy kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore lidhur me rrugët e shembura dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi reagoi ashpër duke deklaruar se refuzimi i komisioneve hetimore dhe mjeteve parlamentare si interpelancat dhe amendamentet “nuk është parlamentarizëm”. Ai kërkoi sqarim mbi rolin e opozitës në Kuvend, duke akuzuar shumicën se rrëzon çdo iniciativë për arsye politike.

“Janë pesë kërkesë për ngritje të Komisioneve hetimore që janë refuzuar. Pavarësisht se gllabërohen miliona euro, me shiun e parë rrugët shkatërrohen, tunelet shkatërrohen, infrastruktura publike shkatërrohet. Duhet parë si janë bërë procedurat, por edhe të rekomandohen masa që situata të ngjashme të mos ndodhin. Është rast unik që një institucion publik cilësohet si grup kriminal”, deklaroi Bardhi.

Nga ana e tij, Taulant Balla deklaroi se kërkesat e opozitës u rrëzuan pasi nuk ishin të formuluara sipas Kushtetutës, ndërsa shtoi se Gjykata Kushtetuese ka shkelur afatin ligjor 30-ditor për zbardhjen e vendimit. Ai theksoi se komisionet hetimore nuk mund të përdoren si “ekspeditë peshkimi” dhe se Kuvendi nuk mund të mbivendoset mbi pushtetin gjyqësor.

“Kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore duhet të respektojmë disa parime. Parimi i parë është i së drejtës së palës kërkuese, por vetëpërmbajta kërkesës udhët të shikohet në këndvështrimin që a kufizime. Pra to duhet të jenë në përputhje me kushtetutën mos të mbivendoset me pushtet tjetër dhe që kërkesa të fokusohet në një çështje të veçantë. Komisioni nuk duhet të jetë ekspeditë peshkimi. Kërkesa e parë ishte një kërkesë e cila sipas një kolege të opozitës do të hetohet nëna natyrë se ka sjellë shumë shi. Dhe në trajtë shakaje kjo. Nëse opozita nuk di të formulojë një kërkesë, jemi gati t’ia ofrojmë një lloj ekspertize. Opozita po erdhi me idenë, o rashë e vdiqa, nuk do të marrin gjë”, tha Balla.

Në të njëjtën mbledhje, opozita kundërshtoi futjen në rend dite të ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, të propozuara nga Taulant Balla. Ata argumentuan se nuk ka urgjencë për shqyrtim, për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk ka zbardhur ende vendimin që rrëzoi rritjen e numrit të komisioneve parlamentare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)