“Jo presion për ryshfet dhe korrupsion”, Rama mesazh tatimorëve: Ndryshoni sjellje ndaj bizneseve

Kryeministri ka kërkuar një administratë tatimore të fortë dhe me integritet për të garantuar klimë pozitive biznesi.

07.04.2026. 14:42

“Jo presion për ryshfet dhe korrupsion”, Rama mesazh tatimorëve: Ndryshoni sjellje ndaj bizneseve

Kryeministri Edi Rama i ka rikujtuar edhe një herë administratës tatimore nevojën për të ndryshuar sjelljen ndaj sipërmarrjes private, duke theksuar se presioni për ryshfet dhe korrupsion duhet të marrë fund. Deklarata u bë këtë të martë, në vijim të apelit të tij të mëparshëm për një administratë më të përgjegjshme dhe profesionale.

“Duhet një administratë ndryshe nga ajo e disa viteve më parë, që kompanitë të mos ndihen nën presion të vazhdueshëm për kërkesën e ryshfetit”, tha Rama. Kryeministri shtoi se integriteti dhe aftësia e administratës janë të domosdoshme për rritjen e qëndrueshme të të ardhurave nga doganat dhe tatimet.

Kryeministri nënvizoi se një administratë e mirë pozicionuar do të mundësojë që rritja ekonomike të përkthehet në paga më të larta, pensione më të mira dhe zgjerim të të drejtave për qytetarët. Sipas tij, ky është kushti thelbësor që klima e biznesit të jetë pozitive dhe që kompanitë të performojnë pa u ndjerë nën presion dhe kërcënime korrupsioni.

“Duhet një administratë që është e mirë pozicionuar në raport me qëllimet e shpallura të qeverisë”, shtoi Rama. Kryeministri bëri thirrje për një ndryshim thelbësor në administratë, duke e konsideruar atë si faktor kyç për suksesin e politikave qeveritare dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Foto nga video

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)