Kriza e karburantit ka nisur të japë efektet e para në Europë, ku paralajmërimet për uljen në tokë të flotës së avionëve po ndodhin vërtetë, teksa bëhen rreth dy muaj nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Pas paralajmërimit për shkurtime të furnizimit me karburant në katër aeroporte italiane, edhe linja ajrore hungareze me kosto të ulët Wizz Air konfirmon se ka hasur disa mungesa karburanti për avionët e saj në tre aeroporte në Itali.
Pas paralajmërimeve për furnizimet për shkak të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, drejtori i saj ekzekutiv, Jozsef Varadi zbuloi sot problemet e hasura në një deklaratë për të përditshmen italiane të biznesit Il Sole 24 Ore.
"Kishim probleme për shkak të mungesës së karburantit për avionë në tre aeroporte italiane - Venecia, Brindisi dhe Catania. Gjithçka u zgjidh brenda një dite dhe në disa raste brenda orësh, pa pasur nevojë të anuloheshin fluturimet", tha drejtori i Wizz Air.
“Në asnjë vend tjetër evropian, deri më tani, nuk kemi përjetuar mungesë karburanti. Mendoj se aktualisht po vëzhgojmë njëri-tjetrin (midis linjave ajrore) për të kuptuar se sa serioze mund të bëhet situata. Karburanti për avionë është furnizuar në mënyrë adekuate në të gjithë Evropën, me një pengesë të vogël në Itali. Për momentin, mendoj se situata në Evropë nuk është aq alarmante, problemet janë më serioze në Azi sesa në Evropë. Besoj se do ta kapërcejmë edhe këtë krizë dhe se nuk do të jetë shumë dëmtuese”, shtoi Varadi.
Nëse lindin probleme në një aeroport të caktuar, linja ajrore hungareze planifikon së pari të sigurojë që aeroplanët e saj të mbajnë karburant të mjaftueshëm për një udhëtim tjetër, sipas drejtorit të saj ekzekutiv.
“Vetëm nëse kjo nuk është e mjaftueshme, do të shqyrtohet ulja e shërbimeve në atë aeroport. Kërkesa është e paqëndrueshme në Evropë për javët e ardhshme. Njerëzit po presin të shohin se çfarë do të ndodhë”, tha ai.
Mbyllja efektive e Ngushticës së Hormuzit për shkak të luftës në Iran po rrit rrezikun e mungesës së karburantit për avionë në Evropë, pikërisht ndërsa po afron sezoni i madh i udhëtimeve verore. Evropa normalisht importon gjysmën e karburantit të saj për avionë nga vendet e Gjirit.
Një paralajmërim alarmant për krizën energjetike globale erdhi ditën e djeshme nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, e cila sinjalizon pasoja të drejtpërdrejta për transportin ajror dhe ekonominë botërore.
Drejtori ekzekutiv i kësaj agjencie, Fatih Birol, deklaroi se Europa mund të ketë vetëm rreth gjashtë javë rezerva karburanti për avionët, nëse bllokimi i furnizimeve për shkak të luftës me Iranin vijon. Sipas tij, kjo situatë mund të çojë shumë shpejt në anulime fluturimesh në kontinent.
Birol e cilësoi krizën aktuale si “një nga më të mëdhatë energjetike që bota ka përjetuar ndonjëherë”, duke theksuar se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit po pengon furnizimin me naftë, gaz dhe burime të tjera jetike. Ai paralajmëroi se ndikimi do të jetë i gjerë, duke përfshirë rritjen e çmimeve të karburanteve, energjisë elektrike dhe inflacionit global, shkruan AP.
Sipas tij, vendet më të goditura do të jenë ato në zhvillim, veçanërisht në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, por në fund askush nuk do të jetë imun ndaj kësaj krize. “Asnjë vend nuk do t’i shpëtojë ndikimit të saj”, u shpreh ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)