Irani hap Ngushticën e Hormuzit pas arritjes së armëpushimit Izrael-Liban, bie çmimi i naftës

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi njoftoi përmes një postimi në platformën ‘X’ se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjitha anijet tregtare për periudhën e mbetur të armëpushimit, duke shtuar se kjo është në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit Izrael-Liban.

17.04.2026. 15:27

Irani hap Ngushticën e Hormuzit pas arritjes së armëpushimit Izrael-Liban, bie çmimi i naftës

Një pauzë 10-ditore në luftime midis Izraelit dhe Libanit, e cila u arrit pas negociatave në Uashington, ka sjell efektin e parë, duke shtyrë Iranin që të mbajë fjalën e dhënë dhe të hap plotësisht Ngushticën e Hormuzit.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi njoftoi përmes një postimi në platformën ‘X’ se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjitha anijet tregtare për periudhën e mbetur të armëpushimit, duke shtuar se kjo është në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit Izrael-Liban.

“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, në rrugën e koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Portet dhe Organizata Detare e Republikës Islamike të Iranit”, shkroi Aragchi në X.

Siç sqaroi ai, lëvizja e anijeve do të kryhet nëpërmjet një rruge të koordinuar që është përcaktuar tashmë. Në të njëjtën kohë, pati luhatje të forta në tregje pas njoftimit të Iranit për Ngushticën e Hormuzit, pasi çmimi i naftës ra me 10%, me naftën Brent që zbriti poshtë 90 dollarëve për fuçi.

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump e përshëndeti njoftimin nga Teherani përmes një postimi në Truth Social, ku tha “faleminderit”, duke përsëritur se ngushtica është nga tani plotësisht e hapur.

Armëpushimi në Liban duket se po mbahet pavarësisht se ushtria libaneze akuzoi Izraelin për shkelje të tij disa orë pasi hyri në fuqi.

Hezbollahu i mbështetur nga Irani në Liban ka rënë dakord të respektojë armëpushimin nëse ndalojnë sulmet izraelite. Ndërkohë, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se një takim në Shtëpinë e Bardhë midis dy kombeve mund të zhvillohet brenda dy javësh.

Fishekzjarrë dhe të shtëna festive u dëgjuan në kryeqytetin libanez, Bejrut, ndërsa armëpushimi 10-ditor midis Izraelit dhe Libanit hyri në fuqi në mesnatë sipas orës lokale.

Marrëveshja për të ndaluar armiqësitë pasoi ditë të tëra presioni nga SHBA-të ndaj Izraelit, pasi luftimet e vazhdueshme midis Izraelit dhe Hezbollahut kërcënuan të prishnin armëpushimin e lëkundur midis SHBA-së dhe Iranit.

Sakaq, Presidenti libanez Joseph Aoun, i përshkroi negociatat e drejtpërdrejta me Izraelin si "kritike dhe thelbësore", duke theksuar nevojën për "përgjegjësi kombëtare" në ditët në vijim.

"Armëpushimi është porta për avancimin e negociatave dhe është një opsion që gëzon mbështetje lokale dhe ndërkombëtare", tha Aoun.

Aoun theksoi rolin qendror të ushtrisë libaneze pas tërheqjes së forcave izraelite, duke i siguruar banorët e rajoneve jugore të vendit pas kthimit të tyre në fshatrat dhe qytetet e tyre se "nuk ka forca të armatosura përveç ushtrisë dhe forcave legjitime të sigurisë".

Por, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se ushtria izraelite nuk do të tërhiqet nga pozicionet e saj në Libanin jugor gjatë armëpushimit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)