Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif i ka bërë thirrje Presidentit të SHBA, Donald Trump, që ta zgjasë ultimatumin e tij për dy javë, për të lejuar diplomacisë të ecë përpara.
Në të njëjtën kohë ai i bëri një kërkesë Iranit që të hapë Ngushticën e Hormuzit sa më shpejt të jetë e mundur.
Në një postim në X, ai shkruan: "Përpjekjet diplomatike për zgjidhjen paqësore të luftës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme, të fortë dhe të fuqishme me potencialin për të çuar në rezultate thelbësore në të ardhmen e afërt.Për t'i lejuar diplomacisë të ecë përpara, i kërkoj me ngulm Presidentit Trump të zgjasë afatin për dy javë. Pakistani, me gjithë sinqeritet, u kërkon vëllezërve iranianë të hapin Ngushticën e Hormuzit për një periudhë përkatëse prej dy javësh si një gjest vullneti të mirë”.
Shtëpia e Bardhë thotë sakaq se Presidenti Donald Trump është njoftuar për kërkesën për armëpushimin dy javor të propozuar nga kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif, duke shtuar se "do të vijë një përgjigje" nga Trump.
"Presidenti është njoftuar për propozimin dhe një përgjigje do të vijë", tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt për CNN në një deklaratë.
Sharif, i cili ka qenë një lojtar kyç në ndërmjetësimin e bisedimeve midis Uashingtonit dhe Teheranit, ka propozuar që Irani të rihapë Ngushticën e Hormuzit për dy javë si shenjë e vullnetit të mirë, dhe që të gjitha palët "të respektojnë një armëpushim kudo për dy javë për të lejuar diplomacinë të arrijë përfundimin përfundimtar të luftës, në interes të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon".
Pas deklaratave të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump dha për Fox News një intervistë të shkurtër telefonike ku u pyet se si ndihet për bisedimet. Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë në "negociata të nxehta" mbi luftën me Iranin, duke refuzuar të japë detaje mbi bisedimet.
"Nuk mund t'ju them, sepse tani për tani jemi në negociata të nxehta", tha ai.
Trump tha se do të informohej plotësisht mbi armëpushimin e propozuar nga kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif. "Mund ta them këtë, e njoh shumë mirë. Ai është një njeri shumë i respektuar, kudo", tha Trump për Fox.
Ndërkohë, vetëm pak orë nga skadimi i ultimatumit, Irani ka vendosur të krijojë zinxhirë njerëzorë për të mbrojtur infrastrukturën strategjike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)