Një zbulim premtues në fushën e shëndetit publik vjen nga një nxënës i ri amerikan. Vick J. Tan, një adoleshent nga New York ka zhvilluar një metodë inovative për të larguar arseniku nga uji i pijshëm, duke përdorur bustina çaji të trajtuara posaçërisht.
Ideja bazohet në bustina çaji prej celuloze, të cilat trajtohen me grimca të veçanta dhe mbushen me materiale natyrore si lëvozhga vezësh të bëra në grimca. Këto përbërës lidhen me arsenikun dhe e “bllokojnë” atë, duke e larguar nga uji.
Testet laboratorike kanë treguar rezultate mbresëlënëse: një bustinë e vetme mund të largojë mbi 90% të arsenikut nga një litër ujë, ndërsa në kushte të caktuara efikasiteti arrin edhe mbi 98%. Studimi që konfirmon këtë zbulim është publikuar në revistën shkencore “ACS Omega”.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndotja nga arseniku është një nga rreziqet më të mëdha kimike për ujin e pijshëm. Deri në 220 milionë njerëz në rreth 70 vende të botës janë të ekspozuar ndaj këtij rreziku.
Ekspozimi afatgjatë ndaj arsenikut lidhet me sëmundje serioze si kanceri i lëkurës, problemet kardiovaskulare dhe dëmtime neurologjike, sidomos tek fëmijët. Një nga avantazhet më të mëdha të metodës së zhvilluar nga Vick J. Tan është kostoja shumë e ulët: çdo bustinë kushton rreth 7 cent dhe mund të përdoret disa herë.
Kjo e bën zgjidhjen veçanërisht të vlefshme për vendet në zhvillim, ku mungojnë sistemet e avancuara të filtrimit të ujit. “Uji i pastër nuk duhet të varet nga infrastruktura e shtrenjtë”, ka deklaruar ai, duke theksuar potencialin e metodës së tij për të shpëtuar jetë në shkallë globale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)