Rasti i vrasjes së Carolina Flores, një ish-mbretëreshë bukurie dhe modele nga Ensenada, ka marrë një kthesë vendimtare pas publikimit të një videoje që hedh dritë mbi ngjarjen tragjike.
Sipas pamjeve të kamerave, 27-vjeçarja u vra më 15 prill brenda apartamentit të saj në zonën Polanco në Mexico City. Autorja e dyshuar është vjehrra e saj, Érika María Herrera Coriant.
Videoja momentet e fundit të Flores. Ajo shihet duke ecur në dhomën e ndenjjes, ndërsa vjehrra ndodhet aty. Pas një shkëmbimi të shkurtër fjalësh, të dyja drejtohen drejt kuzhinës. Pak sekonda më vonë dëgjohet një e shtënë arme, e pasuar nga britma dhe edhe pesë të shtëna të tjera.
Më pas, autorja e dyshuar del qetësisht nga kuzhina dhe përballet me djalin e saj, Alejandro Sánchez, bashkëshortin e viktimës, i cili mbante në krahë foshnjën e tyre 8-muajshe. Sipas raportimeve, ai e pyet: “Çfarë bëre, mami?”, ndërsa ajo përgjigjet: “Asgjë, më zemëroi”. Kur ai sheh trupin e pajetë të gruas, thotë: “Ajo është familja ime”, dhe e ëma i përgjigjet: “Edhe ajo është familja ime. Ti ishe i imi, ajo të mori nga unë”.
Fillimisht rasti u klasifikua si vrasje me dashje, por tashmë po hetohet si femicid, pas presionit të madh publik.
Carolina Flores ishte e njohur në komunitetin e saj dhe kishte fituar titullin “Miss Teen Universe Baja California 2017”. Varrimi i saj u mbajt më 20 prill në Ensenada, ndërsa qytetarët kanë organizuar një marshim paqësor për të kërkuar drejtësi për të.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)