Atë Flavio Cavallini caktohet Administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut nga Papa

Atë Flavio Cavallini, në vitin 1993 ai u dërgua si misionar në Shqipëri, ku ka mbajtur role të rëndësishme, përfshirë drejtimin e Provincës Françeskane për disa mandate.

25.04.2026. 18:05

Atë Flavio Cavallini caktohet Administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut nga Papa

Papa Leon XIV ka emëruar Atë Flavio Cavallinin si Administrator Apostolik të Shqipërisë së Jugut, një detyrë me rëndësi të veçantë për jetën kishtare në vend.

Lajmi është mirëpritur nga Gjergj Meta, president i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe Ipeshkëv i Rrëshenit, i cili përmes një deklarate publike shprehu urimet dhe vlerësimin për kontributin e gjatë të Atë Flavios. Ai theksoi se Cavallini është një figurë me përvojë të gjerë misionare dhe një njohës i thellë i realitetit shqiptar, sidomos që nga periudha e rifillimit të jetës fetare pas rënies së regjimit komunist.

Atë Flavio Cavallini ka lindur në Verona në vitin 1957 dhe u shugurua meshtar në vitin 1984. Studimet e tij i vazhdoi në Jerusalem, ku u specializua në Teologjinë Biblike. Në vitin 1993 ai u dërgua si misionar në Shqipëri, ku ka mbajtur role të rëndësishme, përfshirë drejtimin e Provincës Françeskane për disa mandate.

Për dekada me radhë, Cavallini ka dhënë mësim në institucionet teologjike në Shkodër, duke kontribuar në formimin e brezave të rinj të klerikëve. Që prej vitit 2015 ai jeton dhe shërben në Tiranë, ku është përfshirë aktivisht në edukimin biblik të laikëve dhe katekistëve, si dhe në jetën baritore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)