Unaza që do ndezë Tokën, megaprojekti me panele 10,900 km rreth Hënës do na furnizojë me energji 24/7

Plani parashikon që energjia elektrike e gjeneruar në Hënë do të shndërrohet në rreze mikrovalësh ose lazeri. Këto do të drejtohen në objekte të posaçme marrëse në Tokë, ku do të shndërrohen përsëri në energji elektrike.

31.03.2026. 14:43

Unaza që do ndezë Tokën, megaprojekti me panele 10,900 km rreth Hënës do na furnizojë me energji 24/7

Një plan ambicioz dëshiron ta shndërrojë Hënën në një burim energjie për Tokën, por është ende... vite dritë larg realizimit.

Ideja duket si diçka e nxjerrë nga një skenar fantastiko-shkencor, por ka ekzistuar prej vitesh. Bëhet fjalë për një “unazë diellore” gjigante rreth Hënës që do të gjeneronte energji dhe do ta dërgonte atë në Tokë pa ndërprerje.

Projekti është japonez dhe njihet si Unaza Luna. Ai synon të ndryshojë mënyrën se si e perceptojmë energjinë në shkallë globale, ndërsa në praktikë, ky është një propozim i bazuar në shfrytëzimin e rrezatimit të vazhdueshëm diellor në Hënë, ku nuk ka re ose atmosferë për të kufizuar efikasitetin e paneleve. Rezultati, mund të jetë një rrjedhë konstante energjie që zgjat 24 orë në ditë.

Në zemër të planit është një unazë panelesh diellore që do të shtrihen përgjatë ekuatorit hënor. Me një gjatësi prej 10,900 kilometrash dhe gjerësi deri në 400 kilometra, kjo strukturë do të formonte një brez të vazhdueshëm energjie rreth Hënës.

Logjika pas kësaj është se, pavarësisht faktit që nata hënore zgjat rreth 14 ditë, një sistem kaq i gjerë mund të "ndiqte" vazhdimisht dritën, duke e mbajtur prodhimin e energjisë sa më të qëndrueshëm të jetë e mundur.

Plani parashikon që energjia elektrike e gjeneruar në Hënë do të shndërrohet në rreze mikrovalësh ose lazeri. Këto do të drejtohen në objekte të posaçme marrëse në Tokë, ku do të shndërrohen përsëri në energji elektrike.

Kjo teknologji është testuar tashmë në një shkallë më të vogël, megjithatë, zbatimi i saj në distanca prej afërsisht 384,000 kilometrash dhe në madhësi të tilla mbetet një ndërmarrje veçanërisht e vështirë, me sfida të konsiderueshme teknike.

Një nga aspektet më interesante të projektit është perspektiva e përdorimit të materialeve që ekzistojnë tashmë në Hënë. Në teori, toka hënore mund të shndërrohet në materiale ndërtimi si betoni ose fibra qelqi, duke zvogëluar nevojën për transport nga Toka.

Ndërtimi do të bazohej në sisteme robotike që do të vepronin nga distanca, pasi temperaturat ekstreme dhe pluhuri intensiv e bëjnë praninë e përhershme njerëzore jashtëzakonisht të vështirë.

Pavarësisht natyrës së saj mbresëlënëse, Luna Ring nuk është aktualisht një projekt në vazhdim dhe nuk ka një afat kohor specifik zbatimi, e as nuk janë zgjidhur çështjet kryesore në lidhje me koston, pjekurinë teknologjike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të nevojshëm për të zbatuar një megaprojekt si ky.

Megjithatë, mbetet një vizion afatgjatë i Japonisë, që tregon se ku mund të shkojë teknologjia e energjisë në të ardhmen, deri... përtej kufijve të Tokës, ose përtej gjithçkaje që ne e njohim si të mundshme nga ana njerëzore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)