Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian po hyn në një fazë vendimtare, ku qeveria thekson progresin e bërë dhe sfidat që mbeten përpara, ndërsa fokusi tashmë është zhvendosur te mbyllja e kapitujve të negociatave.
Kryenegociatorja për integrimin, Majlinda Dhuka, deklaroi se Shqipëria po ecën me ritëm të qëndrueshëm drejt BE-së, duke theksuar mbështetjen e Komisioni Evropian dhe vendeve anëtare. “Shqipëria ecën me hapa të sigurtë në rrugën drejt BE si nga përgatitja teknike dhe nga vullneti politik”, u shpreh ajo, duke shtuar se vendi ka marrë vlerësim pozitiv dhe është në pritje të plotësimit të kërkesave të fundit nga shtetet anëtare.
Sipas Dhukës, puna tashmë është përqendruar te mbyllja e 33 kapitujve të negociatave, ndërsa theksoi se Shqipëria ka qenë proaktive dhe ka avancuar me ritëm të qëndrueshëm në përmbushjen e kushteve.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama e cilësoi procesin e integrimit si historik dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e shtetit. “Procesi ka shumë ngarkesë dhe është për t’u përgëzuar e gjithë skuadra e negociatave”, tha Rama, duke vlerësuar angazhimin e institucioneve dhe koordinimin ndërinstitucional.
Ai theksoi se përfitimi më i madh i këtij procesi nuk është vetëm anëtarësimi, por transformimi i institucioneve. “Ky proces rrit në mënyrë thelbësore kapacitetet institucionale të vendit”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se integrimi forcon rendin ligjor dhe funksionimin e shtetit.
Rama theksoi gjithashtu se opinioni publik duhet të kuptojë kompleksitetin e këtij procesi, duke e cilësuar atë si një përpjekje madhore kombëtare që kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe standarde të larta reformash.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)