Tensionet mes Rusisë dhe Mbretërisë së Bashkuar janë përshkallëzuar sërish, pas vendimit të Moskës për të dëbuar një diplomat britanik, të cilin e akuzon për aktivitete spiunazhi ekonomik.
Sipas mediave shtetërore ruse, shërbimi i sigurisë FSB ka deklaruar se diplomati, i cili shërbente si sekretar në ambasadë, ishte i përfshirë në “aktivitete subversive të inteligjencës” që cenojnë sigurinë e Rusisë. Autoritetet ruse njoftuan se atij i është hequr akreditimi dhe i është kërkuar të largohet nga vendi brenda dy javësh .
Sipas të njëjtave burime, diplomati dyshohet se ka dhënë informacione të rreme gjatë aplikimit për hyrje në Rusi, duke shkelur ligjet e vendit. Ndërkohë, Londra ka reaguar menjëherë, duke i cilësuar akuzat si të pabazuara dhe pjesë e një fushate të koordinuar presioni ndaj diplomatëve britanikë. “Akuzat janë tërësisht të pavërteta”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike .
Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet mes dy vendeve janë rritur edhe për shkak të lëvizjeve të flotës së ashtuquajtur “hije” të Rusisë, që transporton naftë në kundërshtim me sanksionet perëndimore. Së fundmi, disa anije ruse kaluan përmes Kanalit Anglez, duke shtuar shqetësimet për sigurinë dhe duke detyruar forcat ajrore britanike të monitorojnë situatën.
Kryeministri britanik Keir Starmer ka paralajmëruar masa më të ashpra ndaj kësaj flote, duke theksuar se do të goditen burimet financiare që mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)