Kosova, një hap larg historisë, Foda para Turqisë: Të përgatitur për çdo skenar

Një hap larg historisë, Kosova përballet nesër me Turqinë në një ndeshje që mund të ndryshojë përgjithmonë fatin e futbollit të saj dhe të shkruajë kapitullin më të madh që nga krijimi i përfaqësueses.

30.03.2026. 12:01

Kosova, një hap larg historisë, Foda para Turqisë: Të përgatitur për çdo skenar

Një hap larg historisë, Kosova përballet nesër me Turqinë në një ndeshje që mund të ndryshojë përgjithmonë fatin e futbollit të saj dhe të shkruajë kapitullin më të madh që nga krijimi i përfaqësueses.

Në stadiumin Fadil Vokrri Stadium, “Dardanët” do të luajnë në orën 20:45 finalen e play-off-it ndaj Turqisë, ku një fitore do t’i çonte për herë të parë në finalet e Kupës së Botës 2026, që zhvillohen në SHBA, Meksikë e Kanada.

Skuadra e Kosovës vjen në këtë sfidë pas një fitoreje spektakolare 3-4 ndaj Sllovakisë në Bratislavë, ndërsa përballë do të ketë një kundërshtar të fortë si Turqia, që nuk ka marrë pjesë në një Kupën Botës prej vitit 2002.

Në konferencën për mediet, trajneri Franco Foda u shpreh realist, por optimist për shanset e ekipit të tij. “Ekipi i Turqisë është shumë i fortë edhe në aspektin e lojtarëve individual si Yildiz, Guler e Calhanoglu, por dhe ne jemi të mirë. Jemi në finale me plot meritë, gjasat për të kaluar më tej janë 50 me 50. Ne do të japim gjithçka për të fituar”, deklaroi ai, duke shtuar se skuadra duhet të mbajë “kokën në vend” pavarësisht interesit të madh.

Foda theksoi se Kosova është përgatitur për çdo skenar, përfshirë kohën shtesë dhe penalltitë, ndërsa nënvizoi se çelësi do të jetë organizimi dhe kundërsulmi ndaj një skuadre që bazohet në pasime të shkurtra.

Edhe kapiteni Vedat Muriqi shprehu besimin e tij, duke e cilësuar këtë sfidë si një moment historik për vendin. “Pas Pavarësisë mund të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë. Nuk dua t’i bëj presion bashkëlojtarëve apo vetës, por besoj te fitorja”, tha ai.

Në prag të kësaj ndeshjeje, kryeministri Albin Kurti ka premtuar një shpërblim prej 1 milion eurosh në rast fitoreje, duke rritur motivimin e skuadrës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)