Me një mesazh në WhatsApp, çiftit të moshuar i hiqet çadra në plazh pas 46 vitesh

Akuzojnë pronarët se kërkojnë klientelë të re dhe që shpenzon. Menaxherët mohojnë diskriminimin për moshën dhe theksojnë se bëhet fjalë për një ndryshim në filozofinë e biznesit.

01.04.2026. 22:34

Me një mesazh në WhatsApp, çiftit të moshuar i hiqet çadra në plazh pas 46 vitesh

Një çift të moshuarish në Pescara ka mbetur pa çadrën e zakonshme në plazh pas 46 vitesh frekuentimi të të njëjtit plazh, pasi morën një mesazh në WhatsApp nga menaxherët e rinj. “Ju urojmë më të mirat për sezonin e ardhshëm”, thuhej në mesazh.

Çifti, 86 dhe 82 vjeç, nuk e priste që këtë verë do të mbetej pa shezlongët e tyre të zakonshëm. Sipas pronarëve të rinj, që kanë marrë aktivitetin dy vite më parë, arsyeja ishte riorganizimi i hapësirave: “Nuk mund të konfirmojmë vendin tuaj”. Ky mesazh i ftohtë i dha fund një historie që zgjaste prej afro gjysmë shekulli.

Por sipas bashkëshortit, arsyeja e vërtetë është tjetër. “Preferojnë të rinjtë që shpenzojnë në bar dhe restorante”, deklaroi ai për mediat italiane. Menaxherët mohojnë diskriminimin për moshën dhe theksojnë se bëhet fjalë për një ndryshim në filozofinë e biznesit. “Po orientohemi drejt një klientele më dinamike, që e përdor strukturën në mënyrë më të plotë”, u shpreh pronari.

Çifti kishte prej vitesh një vend në rreshtin e parë, shumë pranë detit. Ata paguanin rreth 4 mijë euro për periudhën e sezonit veror. Gjithmonë pagesa bëhej paraprakisht. Pas ankesave të tyre, menaxherët propozuan fillimisht një vend në rreshtin e tretë, por pa garanci se mund të qëndronte gjithmonë i lirë. Më vonë ofruan një vend në rreshtin e katërt, por çifti e refuzoi, pasi u ndien të fyer dhe të poshtëruar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)