Kafeja, një nga pijet më të konsumuara në botë, duket se ka ndikim jo vetëm në energji, por edhe në shëndetin mendor, përfshirë stresin dhe humorin.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Journal of Affective Disorders, konsumimi i moderuar i kafesë mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për çrregullime të humorit dhe stresit. Studimi analizoi të dhënat e rreth 460 mijë personave për një periudhë 13-vjeçare.
Rezultatet treguan se personat që konsumonin çdo ditë 2 deri në 3 filxhanë kafe kishin më pak gjasa të zhvillonin probleme si depresioni, ankthi apo çrregullimet e përshtatjes, krahasuar me ata që nuk pinin fare kafe.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se teprimi nuk sjell përfitime. Tek personat që konsumonin 5 ose më shumë filxhanë në ditë, nuk u vu re ulje e stresit, përkundrazi u konstatua rritje e çrregullimeve të humorit.
Ekspertët theksojnë se përfitimet e kafesë lidhen jo vetëm me kafeinën, por edhe me përbërësit e saj bioaktivë. “Kafeja është shumë më tepër se kafeinë. Ajo përmban qindra substanca bioaktive me veti antioksiduese dhe anti-inflamatore që mbështesin shëndetin e trurit”, theksojnë specialistët.
Sipas tyre, efekti pozitiv lidhet edhe me ndikimin e kafesë në funksionin e mëlçisë, veshkave dhe metabolizmin e yndyrnave.
Sipas këtij studimi, konsumi i moderuar i kafesë konsiderohet një zgjedhje e mirë për mirëqenien mendore, ndërsa teprimi mund të ketë efekt të kundërt.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)