Konjufca nga Këshilli i Sigurimit i OKB, i kërkon Serbisë të njohë Kosovën

Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe fqinjësore, por sipas tij, pengesa kryesore në këtë proces është Beogradi zyrtar. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur", tha ai.

09.04.2026. 17:54

Konjufca nga Këshilli i Sigurimit i OKB, i kërkon Serbisë të njohë Kosovën

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe fqinjësore, por sipas tij, pengesa kryesore në këtë proces është Beogradi zyrtar.

“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos mbajë peng të gjithë rajonin të një hegjemonie”, deklaroi ai.

Ministri i Jashtëm akuzoi gjithashtu Beogradin për rol destruktiv dhe përpjekje për ndërhyrje në proceset demokratike të Kosovës, përfshirë zgjedhjet parlamentare dhe lokale.

“Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje, duke u përpjekur për ta mbështetur Listën Serbe në zgjedhjet në Kosovë, duke synuar ta reflektojë drejtimin e vet me një parti në pushtet. Ne kemi penguar ndërhyrje të tilla të huaja dhe kemi arritur të ruajmë dinjitetin e institucioneve tona demokratike”, nënvizoi Konjufca.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet i bllokuar, ndërsa thirrjet ndërkombëtare për normalizim të marrëdhënieve vazhdojnë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)