Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Durrësi se Shqipëria ndodhet në një moment historik për integrimin në Bashkimi Evropian, duke theksuar se vendi duhet të shfrytëzojë këtë mundësi për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste në qytetin bregdetar, Rama u shpreh se “dera e BE është hapur” dhe se përgjegjësia tashmë bie mbi Shqipërinë.
“Fati u buzëqesh shqiptarëve, sepse për herë të parë gjendemi në një pozitë ku të mëdhenjtë që na duhen i kemi të gjithë me vete dhe në ndërkohë ne duhet të materializojmë një ëndërr të vjetër, që ka qenë ëndërr e brezave për ta shkëputur Shqipërinë nga pika ku në vazhdimësi jemi gjendur në vështirësi të mëdha historike dhe për ta pozicionuar në anën e Evropës edhe zyrtarisht, jo vetëm gjeografikisht”, deklaroi shefi i qeverisë.
Ai theksoi se Shqipëria duhet të veprojë shpejt për të mos humbur këtë moment. “Sot Shqipëria duhet të vrapojë për të mos e lënë për t’u mbyllur atë derën që është hapur. Ne duhet ta kapim trenin e historisë patjetër”, theksoi ai.
Rama u ndal edhe te rëndësia e mbështetjes politike për të çuar përpara procesin e integrimit.
“Na duhet një mandat më i fortë për ta bërë realist objektivin historik të Shqipërisë në BE. Dua që PS të jetë e vetëdijshme që fati e ka dashur që të na bjerë në kurriz një gur kaq i madh për ta ngjitur në metrat e fundit dhe për ta vendosur në majë dhe për ta vulosur prezencën e Shqipërisë në BE”, nënvizoi kryeministri.
Rama më tej u orvat të shpjegonte se procesi i integrimit ka dy dimensione që lidhen me reformat e brendshme dhe vendimmarrjen e vetë BE-së.
“Procesi i anëtarësimit ka një anë që lidhet me ne dhe një anë me ata. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveçse të bëjmë detyrat tona, duhet të jemi gati. Të gjitha këto reforma dhe procese e bëjnë Shqipërinë shtet, bëhet Shqipëria si një vend i BE-së. Në 11 muaj ne hapëm kapitujt dhe askush nuk e ka bërë këtë”, sqaroi Rama.
Duke komentuar pretendimet e opozitës në vend për bllokim të procesit nga disa vende anëtare, Rama i cilësoi ato si të pavërteta. “9 shtetet që kanë vendosur veto ndaj nesh, nuk ekziston. Kjo e 9 shteteve është barsaletë. Veton e vendos një, ndaj quhet veto. Nëse janë 9, quhet votë, jo veto”, shpjegoi ai.
Kreu i ekzekutivit sqaroi edhe mekanizmin e vendimmarrjes në BE. “Sipas asaj që bëjmë ne, ata në katin e parë çojnë rekomandimin për hapjen e negociatave. Por në katin e dytë duhet unanimitet. Nëse një thotë jo, procesi ndalet.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)