Pas katër orësh është mbyllur në Gjykatën Kushtetuese seanca e kësaj të enjteje për shqyrtimin e ankimimit të kryeministrit Edi Rama, të vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Pas dëgjimit të konkluzioneve të të gjitha palëve që janë të përfshira në proces, drejtuesja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji njoftoi mbylljen e seancës por pa njoftuar datën dhe orën kur do të komunikohet vendimi.
“Deklarojmë mbylljen e shqyrtimit gjyqësor. Trupi gjyqësor tërhiqet për vendim, data dhe ora do t’u komunikohet sipas parashikimeve ligjore”, tha Papajorgji.
Ndërkohë, gjatë seancës Kryeministria, Kuvendi dhe Presidenca e kundërshtuan vendimin e GJKKO, duke kërkuar shfuqizimin e masës së sigurisë të dhënë për Belinda Ballukun dhe lënien në detyrë me kompetenca të plota.
Sipas përfaqësuesve të tyre, gjyqësori nuk mund të ndërhyjë tek ekzekutivi dhe shkarkimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave realizohet vetëm me autorizim të Kuvendit.
Në fjalën e saj, Drejtoresha juridike e Kuvendit, Mimoza Arbi theksoi se vendimi i GJKKO-së ka krijuar konfuzion juridik mbi statusin e akteve kushtetuese, duke vënë në diskutim efektet e dekretit të Presidentit për emërimin e ministrit.
“Vendimi krijon një konfuzion juridik në lidhje me statusin e akteve. Pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave ndalon pjesëmarrjen e tij në mbledhjet e qeverisë dhe krijon një gjendje të ngjashme me shkarkimin. Duke pranuar që pezullimi mund të arrijë deri te shkarkimi, cënohen kompetencat e Kuvendit si organ ligjvënës. Kjo mungesë baze kushtetuese nuk është një zbrazëti ligjore, por një zgjidhje e qëllimshme e Kushtetutës”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Kryeministrisë, Jona Qosja, deklaroi se Këshilli i Ministrave vlerëson se një gjykatë penale nuk ka kompetencë kushtetuese për të pezulluar nga detyra një ministër. Sipas saj, çështja nuk ka të bëjë me një ankimim kushtetues individual, por me marrëdhëniet ndërmjet pushteteve.
“GJKKO pretendon se kjo kërkesë nuk mund të ngrihet, duke argumentuar se nuk ka marrëdhënie juridike kushtetuese. Ne sqarojmë se kjo nuk është një ankimim kushtetues individual dhe nuk ka të bëjë me mbrojtjen e të pandehurit. Kërkesat lidhen me marrëdhënien midis tre pushteteve. A ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër? Ne vlerësojmë se jo”, u shpreh Qosja.
Sakaq në këtë proces refuzoi të përfaqësohej Gjykata e Posaçme, duke argumentuar se nuk mund të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë. Sipas saj, pjesëmarrja në një proces të tillë do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Të pranishëm në seanë ishin dy prokurorët e posaçëm, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Kjo e fundit tha vijimi i ushtrimit të detyrës nga Belinda Balluku, si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, përbën një rrezik potencial për interesin public pasi ajo është nën hetim nga SPAK.
“Hetimi është dinamik. Në këtë seancë nuk mund të bëjmë publike të gjitha të dhënat, por në vlerësimin makro të rreziqeve rezulton se e hetuara, duke vijuar ushtrimin e detyrës së ministres dhe zv.kryeministres, përbën një rrezik konkret. Vetë përfaqësuesi i Kryeministrisë deklaroi se e hetuara ka propozuar rreth 50 akte”, u shpreh Bejko.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)