Çështja Balluku në Gjykatën Kushtetuese, qëndrimet e palëve dhe pritshmëritë për vendimin

Gjykata Kushtetuese ka mbyllur seancën dëgjimore për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke hapur një afat 30-ditor për të vendosur mbi ligjshmërinë e masës së marrë nga Gjykata e Posaçme, në një përplasje institucionale mes qeverisë, Kuvendit, Presidentit dhe SPAK-ut.

22.01.2026. 16:39

Çështja Balluku në Gjykatën Kushtetuese, qëndrimet e palëve dhe pritshmëritë për vendimin

Gjykata Kushtetuese përfundoi seancën dëgjimore për çështjen e pezullimit nga detyra të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Përfaqësuesit e Kryeministrit e paraqitën çështjen si një konflikt konkret kompetencash ndërmjet Gjykatës së Posaçme, Këshillit të Ministrave, Presidentit të Republikës dhe Kuvendit. Sipas tyre, kompetenca për ndërhyrje në funksionin e një anëtari të qeverisë i takon Kryeministrit, Presidentit dhe në fund Kuvendit, dhe në asnjë rast Prokurorisë. Përfaqësuesi i qeverisë argumentoi se masa e pezullimit nga detyra përbën në thelb një “shkarkim de facto”, pasi ministrja nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj kushtetuese. Sipas Kryeministrisë, kjo masë ka krijuar gjithashtu një ngërç serioz në qeverisje, duke bllokuar mbi 50 akte administrative që kërkonin firmën e zonjës Balluku.

Kuvendi, si palë e interesuar në këtë proces, mbajti qëndrimin se pezullimi nga detyra i një anëtari të kabinetit është i pamundur dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Përfaqësuesja e Kuvendit iu referua dispozitës kushtetuese që u njeh ministrave të njëjtin imunitet që gëzojnë deputetët si persona të zgjedhur. Ajo shkoi edhe më tej, duke argumentuar se edhe masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit (bllokimi i pasaportës) nuk duhej të ishte vendosur pa autorizimin e Kuvendit. Ky arsyetim, megjithatë, nuk u përdor nga Kuvendi në rastin e zotit Sali Berisha, ndaj të cilit gjykata kishte vendosur të njëjtën masë sigurimi.

Presidenti i Republikës pati një rol pasiv në këtë proces. Ai iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me një pyetje hipotetike drejtuar Prokurorisë së Posaçme: “Çfarë ndodh nëse një prokuror dhe një gjyqtar vendosin të pezullojnë Kryeministrin dhe të gjithë anëtarët e qeverisë brenda një dite?”. Kjo pyetje nuk mori përgjigje nga prokurori i çështjes, i cili theksoi se ajo i përket rrafshit hipotetik dhe nuk ka lidhje me rastin konkret.

Prokuroria e Posaçme i qëndroi qëndrimit se masa e pezullimit nga detyra është e ligjshme dhe e bazuar në Kodin e Procedurës Penale. Sipas prokurorëve, ndalimi për pezullimin e një personi të zgjedhur duhet interpretuar në mënyrë strikte dhe i referohet vetëm personave të zgjedhur sipas Kodit Zgjedhor, si deputetët, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë. Në këtë kuptim, kjo dispozitë nuk shtrihet te anëtarët e qeverisë për funksionin e tyre ekzekutiv. Prokuroria theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e kësaj mase, duke argumentuar se ekziston rreziku që zonja Balluku të prishë provat ose të intimidojë dëshmitarët nëse vijon të qëndrojë në detyrë.

Nga dita e sotme, Gjykata Kushtetuese ka një afat prej 30 ditësh për të vendosur nëse masa e pezullimit nga detyra është apo jo e ligjshme. Ajo do të duhet të shqyrtojë nëse ekziston realisht një konflikt kompetencash ndërmjet qeverisë, Kuvendit dhe Presidentit nga njëra anë, dhe Prokurorisë së Posaçme nga ana tjetër. Po ashtu, gjykata duhet të japë një interpretim përfundimtar nëse ndalimi për pezullimin e një personi të zgjedhur, i parashikuar në nenin 242, pika 2 të Kodit të Procedurës Penale, zbatohet edhe për ministrat, duke qenë se ata gëzojnë të njëjtin imunitet si deputetët sipas nenit 103, pika 3 të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese mund ta shpallë vendimin në çdo moment brenda këtij afati. Një tjetër skenar i përfolur është dërgimi i çështjes për opinion në Komisionin e Venecias, një procedurë që do të zgjasë ndjeshëm kohën e vendimit.

Çështja Balluku u dërgua në Gjykatën Kushtetuese më 20 nëntor, nga Kryeministri, një ditë pasi Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin e saj nga detyra. Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e përkohshëm të kësaj mase deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Belinda Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Jashtme të Tiranës. Ndërkohë, SPAK ka kërkuar zëvendësimin e masës së pezullimit nga detyra me një masë më të rëndë sigurie, si arresti shtëpiak ose arresti me burg. Seanca për shqyrtimin në Kuvend të kërkesës së SPAK pritet të zhvillohet të mërkurën, më 28 janar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)