Seanca ndaj Veliajt vijon me debate, avokati kërkon kohë, Prokurori: E panevojshme

Vetë Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm sot në seancën e zhvilluar ndaj tij dhe 29 të pandehurve të tjerë në GJKKO, por janë shënuar përplasje mes avokatit të tij Plarent Ndreca dhe prokurorit të SPAK, Ols Dado.

03.04.2026. 11:38

Seanca ndaj Veliajt vijon me debate, avokati kërkon kohë, Prokurori: E panevojshme

Vetë Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm sot në seancën e zhvilluar ndaj tij dhe 29 të pandehurve të tjerë në GJKKO, por janë shënuar përplasje mes avokatit të tij Plarent Ndreca dhe prokurorit të SPAK, Ols Dado. 

Ndreca ka kërkuar kohë për tu njohur me dosjen. 

"Kam një kërkesë me shkrim, është dy faqe. Unë kam kërkuar që të njihem me aktet e dosjes, unë kam kërkuar oraret kur unë mund të vij në gjykatë për t’u njohur me dosjen, më pas kam marrë angazhimin për studimin e dosjes. Në fillim më thanë që do e marrësh në mënyrë elektronike, por kjo nuk u bë e mundur për shkak të kundërshtimit të prokurorisë. Kam ardhur me një grup avokatësh. Kërkoj një afat 2-javor që unë të realizoj një shqyrtim paraprak të dosjes, që unë të kuptoj si duhet ta realizoj mbrojtjen dhe të paraqes një plan të detajuar sesi unë do ta bëj mbrojtjen. Gjykata duhet të sigurojë kohën e nevojshme që të bëjmë një mbrojtje efektive. Çdo nxitim i pajustifikuar nuk i shërben drejtësisë. Ky proces ka edhe impakt në publik për shkak të funksionit të të pandehurit Erion Veliaj, si kryebashkiak i zgjedhur disa herë me votë. Pasi të njihemi me aktet mund të bëhet një debat real. Kërkojmë të njihemi me dosjen dhe të merrni parasysh kërkesën tonë", mësohet të jetë shprehur Ndreca.

Por kërkesa është kundërshtuar nga prokurori Dado, i cili tha se është e panevojshme që Veliaj ka ndërruar disa avokatë. 

"Kërkesa e mbrojtës së zotit Veliaj për një afat prej dy javësh, është e panevojshme, sepse zoti Veliaj ka ndryshuar disa mbrojtës, aktet i janë dhënë, sepse mund te jemi serish edhe pas një muaj me të njëjtën situatë, ndryshim avokati dhe ai do të kërkojë kohe për t’u njohur me aktet. Për të pandehurin Elman Abulen dhe shoqërinë ‘Rametal’, që kërkojnë moskopetencë, kërkojmë që të rrezohet, pasi jemi në një procedim të lidhur. Ndërsa për gjykimin e shkurtuar dhe ndarjen e çështjes do të shprehemi në momentin e duhur procedural. Përsa i përket të pandehurës Klotilda Bushka situata është edhe më e qartë për shkak të funksionit të saj", i është përgjigjur prokurori Dado.

Sakaq, mbrojtja e ish deputetes Klotilda Bushka ka kërkuar pushimin e çështjes ndaj saj në fazën e hetiit paraprak, duke kërkuar gjykim të shkurtuar, ndarje të çështjes dhe moskompetencë lëndore të gjykatës, për ta dërguar në një gjykatë tjetër. 

“Për të pandehurën Klotilda Bushka, e mbrojtura prej nesh zonja Bushka që në fazën e hetimit paraprak, nuk e ka pranuar akuzën dhe e ka cilësuar si të pambështetur në prova dhe fakte. Gjyqtari i seancës paraprake e kaloi çështjen për gjyq, ne kemi kërkuar pushimin e çështjes në atë proces. Së pari konfirmojmë kërkesën për gjykim të shkurtuar, kërkojmë ndarjen e çështjes dhe moskopetencën lëndore të kësaj gjykate dhe dërgimin e çështjes në një tjetër gjykatë. Ne kemi sjell një dokument që Bushka nuk është më deputete”, mësohet të ketë thënë Henrik Ligori, avokati i saj.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)