Paralajmërimet për sulme nga Irani, Lamallari: Janë marrë masa në bashkëpunim me partnerët

Ministri theksoi se Policia ka forcuar masat e sigurisë në vendndodhje që konsiderohen me rëndësi kritike dhe ka ngritur kapacitetet për t’u përballur me kërcënime.

03.04.2026. 11:29

Paralajmërimet për sulme nga Irani, Lamallari: Janë marrë masa në bashkëpunim me partnerët

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi se Shqipëria ka marrë prej kohësh masat e nevojshme për të vlerësuar dhe përballuar çdo rrezik potencial, duke përfshirë kërcënimet e mundshme që lidhen me zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe reagimet e ambasadave.

“Së pari, Shqipëria ka marrë prej disa kohësh masat e nevojshme në kuptim të vlerësimit të riskut nga të gjitha agjencitë ligjzbatuese, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Nuk bëhet fjalë vetëm për sigurinë publike në sheshe, por edhe për infrastrukturën kritike,” tha Lamallari.

Ministri theksoi se Policia ka forcuar masat e sigurisë në vendndodhje që konsiderohen me rëndësi kritike dhe ka ngritur kapacitetet për t’u përballur me kërcënime që mund të vijnë edhe në forma hibride ose përmes dezinformimit në rrjetet sociale.

Ai shtoi se komunikimi me ambasadat ka konfirmuar se paralajmërimet e tyre janë standarde dhe se vlerësohet bashkëpunimi i ngushtë me strukturat e policisë.

“Më është bërë me dije se nga komunikimi të zyrës së ambasadës është konfirmuar se ky është lajmërim standart që është bërë edhe në vende të tjera, dhe nga ana tjetër, ata vlerësojnë, bashkëpunimin dhe angazhimin e policisë dhe qeverisë për masat e shtuara të marra prej kohësh, duke marrë në konsideratë faktin që policia ka ngritur kapacitetet  nevojshëm për t’u përgjigjur kërcënimeve që vijnë edhe në forma hibride dhe ata që zhvillohen përmes dezinformimit në rrjete sociale, se për të krijuar përshtypje të një vendi të pasigurt”, përfundoi Lamallari.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)