Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar përfundimisht betejën ligjore me institucionet shtetërore, pasi Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Brendshme.
Vendimi i marrë më 17 shkurt 2026 konfirmon qëndrimet e gjykatave më të ulëta, të cilat më herët kishin vlerësuar si të padrejtë shkarkimin e Nanos nga detyra. Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit, duke e bërë çështjen përfundimtare dhe në favor të ish-kreut të policisë.
Si pasojë e këtij vendimi, shteti shqiptar pritet të dëmshpërblejë Gledis Nano me rreth 100 mijë euro. Kjo shumë përfaqëson 60 paga mujore për një periudhë pesëvjeçare, që lidhet me mandatin ligjor të ndërprerë para kohe.
Nano u shkarkua nga detyra më 31 gusht 2022, me arsyetimin e mosrealizimit të objektivave. Pas largimit, ai iu drejtua Gjykata Administrative, e cila i dha të drejtë në shkallë të parë. Vendimi u kundërshtua nga institucionet shtetërore, por edhe Gjykata Administrative e Apelit e la në fuqi vendimin fillestar.
Me verdiktin e fundit të Gjykatës së Lartë, procesi gjyqësor konsiderohet i mbyllur, duke vulosur fitoren ligjore të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)