Policia ka zbardhur plagosjen me armë zjarri të 35-vjeçarit Akil Tahiri, ngjarje e ndodhur paraditen e së premtes në fshatin Gurëz, në Kurbin. Sipas burimeve zyrtare, është identifikuar autori i dyshuar i plagosjes dhe ai është shpallur në kërkim, ndërsa një tjetër person po kërkohet për veprën penale “moskallëzim krimi”.
Gjithashtu, ka nisur procedimi penal edhe ndaj mjekut roje të spitalit, për mosnjoftim të policisë. Nga hetimet paraprake rezulton se Akil Tahiri është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin me iniciale F. C., i njohur edhe si F. S., 40 vjeç, i cili dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri.
Po ashtu, policia bën me dije se shtetasi me iniciale R. M., 26 vjeç, ka transportuar të plagosurin drejt spitalit të Laçit dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, duke braktisur automjetin me të cilin udhëtonte. Sipas veprimeve hetimore, rreth orës 10:20, i plagosuri ka mbërritur në spital me një plagë në këmbë të shkaktuar nga armë zjarri, dyshohet pistoletë.
Ndërkohë, mjeku roje, shtetasi me iniciale A. I., 58 vjeç, nuk ka njoftuar policinë, por e ka dërguar menjëherë të plagosurin për trajtim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Policia vijon punën për kapjen e personave në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)