Gianluca Rocchi, ish-arbitër dhe aktualisht dizenjator i arbitrave në Itali, raportohet se është vënë nën hetim për bashkëpunim në mashtrim sportiv. Sipas mediave italiane, Rocchi ka marrë mbrëmjen e së premtes një njoftim zyrtar se është nën hetim. Dyshimet janë përqendruar kryesisht te sezoni i kaluar, 2024-25, ndërsa akuza e ngritur rikthen në vëmendje hijen e skandalit të famshëm “Calciopoli”, që tronditi futbollin italian rreth 20 vite më parë.
Megjithatë, nga ambientet e arbitrimit thuhet se nuk ka alarm të madh, pasi për një prej rasteve të denoncuara ka pasur tashmë arkivim nga drejtësia sportive, ndërsa për një tjetër ka pasur transparencë të plotë përmes publikimit të audios në emisionin “Open Var”, ku është pranuar edhe gabimi.
Episodi kryesor që lidhet me hetimin ka të bëjë me ndeshjen Udinese-Parma, ku sistemi VAR po analizonte një rast penalltie, për shkak të një prekjeje të mundshme të topit me dorë. Sipas dialogut të raportuar, arbitri në VAR, Daniele Paterna fillimisht u shpreh se nuk e konsideronte rastin penallti.
Por më pas, brenda pak sekondash, ai ndryshoi mendje dhe nga lëvizjet e buzëve kuptohet se thotë: “Është penallti”. Këshilla i përcillet arbitrit kryesor Fabio Maresca, i cili kryen rishikimin në monitor dhe akordon 11-metërsh. Udinese e fitoi ndeshjen 1-0, falë golit nga penalltia të realizuar nga Thauvin.
Pikëpyetja kryesore që ngre hetimi është: me kë foli Paterna në atë moment, që e shtyu të ndryshonte qëndrim? Sipas një kallëzimi të bërë nga Domenico Rocca, dyshohet se ndërhyrja mund të ketë ardhur nga vetë Rocchi. Në kallëzim thuhet se Rocchi “u ngrit shpejt nga vendi dhe trokiti disa herë në xhamin e dhomës ku ndodheshin Paterna (VAR) dhe Sozza (AVAR), për të tërhequr vëmendjen e tyre”.
Një tjetër ndeshje që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është Inter-Verona, e zhvilluar më 8 janar 2024, ku u diskutua për një ndërhyrje me bërryl të Bastonit ndaj Duda-s, pak çaste para golit vendimtar të Frattesit. Në “Open Var” u publikua audioja e komunikimeve mes arbitrit dhe VAR-it, ku më pas u pranua publikisht se ishte gabim dhe se goli duhej anuluar.
“Ka qenë gabim? Absolutisht po, ishte gol për t’u anuluar,” u tha në analizën e emisionit. Dyshimi lidhet me faktin se nuk u kërkua një “on field review”, pra rishikim në monitor nga arbitri kryesor. Sipas raportimeve, mund të jenë edhe ndeshje të tjera të përfshira në hetim. Prokuroria po përpiqet të sqarojë nëse bëhet fjalë për gabime arbitrare apo për një skemë më të rëndë ndikimi dhe presioni mbi vendimet e VAR-it.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)