Alarm për bombë në një qendër tregtare në Tiranë

Autoritetet po hetojnë pistën e një alarmi të qëllimshëm për të shkaktuar panik.

25.04.2026. 21:19

Alarm për bombë në një qendër tregtare në Tiranë

Një alarm për vendosjen e një sasie lënde plasëse në një qendër tregtare në Tiranë ka mobilizuar mbrëmjen e sotme strukturat e sigurisë, por pas kontrolleve të kryera nuk është konstatuar asnjë rrezik real.

Sipas burimeve zyrtare, rreth orës 20:10, shtetasi me inicialet A.D., me detyrë shef sigurie në qendër tregtare, ka njoftuar sallën operative të Policisë se kishte marrë një email kërcënues. Në mesazh pretendohej se në ambientet e qendrës ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente në orën 20:30.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë se Shtetit, forcat xheniere dhe strukturat antiterror, të cilat kanë ndërmarrë kontrolle të imtësishme në të gjithë ambientin e qendrës tregtare.

Pas verifikimeve të kryera, autoritetet konfirmuan se alarmi rezultoi i rremë dhe nuk u gjet asnjë lëndë e dyshimtë apo e paligjshme.

Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për identifikimin e personit që ka dërguar emailin kërcënues, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Autoritetet po hetojnë pistën e një alarmi të qëllimshëm për të shkaktuar panik.

Policia u bën thirrje qytetarëve të shmangin përhapjen e informacioneve të pakonfirmuara dhe thekson se çdo kërcënim i tillë trajtohet me seriozitet maksimal.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)