Në seancën për ratifikimin e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, me ftesë të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trumpm, kryeministri Edi Rama u kujdes që t’i drejtohej edhe vetë shqiptarëve nga foltorja e Kuvendit.
Sipas Ramës është krenari të të jepet një mundësi e tillë nga Amerika për t’i dhënë jetë një organizmi që do të ketë mision vetëm ruajtjen e paqes dhe stabilitetit kudo në botë.
“Sot ky Kuvend mblidhet për të ratifikuar një akt të vullnetit të mirë që Shqipërisë dhe kësaj shumice dhe krejt Kuvendit i takon ta bëjë sa herë vjen në tryezë tema e paqes. Ne shumica kuvendore e kemi bërë zëdhënësin e paqes në këtë rajon të trazuar edhe kur është komentuar si tradhti, një etiketë që është provë e paqedashjes. Ne e kemi çuar Shqipërinë deri në krye të OSBE dhe tryezën e Këshillit të Sigurimit. Një dekadë më parë ky vend ishte një ishull që dilte në radar vetëm për lajme të këqija. Sot ai ishull ku numëroheshin si turistë dhe deputetët është tjetër, destinacion i 12 milionë turistëve. Kjo Shqipëri tjetër i ka hequr shqiptarëve sëkëlldinë e emrin dhe sot e citojnë me krenari. Sot Shqipëria e çmuar ndërkombëtarisht ftohet nga Trump për të qenë pjesë e një organizmi të ri të quajtur Bordi i Paqes. Ky është një nder dhe mundësi për të kontribuar për paqen. Na jepet mundësia të rritemi si shtet duke forcuat dijen dhe njihemi botërisht si popull”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Përveç detajeve sqaruese për atë çka është Bordi i Paqes, shefi i qeverisë e përqëndroi fjalën e tij tek aludimet e Partisë Demokratike për prishjen e marrëdhënieve mes vetë Ramës dhe Donald Trump.
Rama ironizoi opozitën, e cila pas arrestimit të Nicolas Maduro nga forcat amerikane parashikuan një fat të ngjashëm të kreut të qeverisë. Këtë e bëri duke thënë se ndryshe nga çfarë pretendojnë ata, do të jetë ai që do të ulet në Shtëpinë e Bardhë përkrah Donald Trump e madje dhe me votën e tyre sot në Parlament.
“Më e mira do të ishte që sot të pushonte avazi i të gjitha herëve. Por si duket humbësit nuk duan ta humbin as këtë rast që të bëjnë atë që dinë mirë, të humbin, duke vazhduar të bindni shqiptarë se nuk bëni për asgjë tjetër. Është vërtet po të ardhur keq, po të mendosh se sot në fakt, ju kishit mundësi të deklaronit fitoren tuaj më domethënëse. Ju fituat sepse për muaj me radhë thatë se Amerika do më bënte mua gjyqin, e ëndërruar prej jush, për t’u kthyer ju në ato karrige, ku nuk do të ktheheni kurrë, po nuk dolët nga poshtë karriget, ku qëndrojnë hije rënda, të ndenjurat e stërgjyshit tuaj. Ju fituat sepse e paralajmëruat popullin që mua do më thërriesnin në Amerikë në datën 20 janar, për t’u paraqitur në prokurorinë federale. Madje ju e vulosët fitoren, kur festuat kërrimin me forcë të Maduros nga shtëpia e tij në Karakas, dhe ju thatë shqiptarëve se ajo ishte provë gjenerale e ushtrisë amerikane, për rrëmbimin e Ramaduros. Mblidheni si qindra Romeo të dëshpëruar një Xhuljetë të vetme. Unë nuk tallem kurrë me fitoret tuaja. Ju sot do votoni të vërtetën të madhe, që unë nuk do të detyroj që ushtria amerikane t’i bashkohet protestës tuaj nga tarraca e Kryeministrisë, se do dorëzohem vetë, në duart e autoriteteve ligjzbatuese amerikane, që do vijnë në aeroport në Uashington, të më marrin me eskortë, për t’u ulur si anëtar të Bordit të Paqes. Ju prisni të fitonit me helikopter të ushtrisë amerikane, dhe nuk prisnit që të dorëzohesha vetë. Në fillim thatë nuk ka ftesë. Doli ftesa, jo po këtë ftesën e ka e gjithë bota. U ngatërruat pak, nuk e keni idenë si strukturohen grupet ndërkombëtare. Rëndësi që do ngrini kartonin, me votën tuaj do miratoni Bordin e Paqes dhe unë do jem përfaqësues në Shtëpinë e Bardhë”, deklaroi Rama nga foltorja e Kuvendit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)