Vendimet e qeverisë: 100 mln lekë për bizneset, tekste falas për 9 mijë nxënës dhe nënstacion energjie në Tiranë

Vendimet në mbledhjen e qeverisë, që synojnë mbështetjen e biznesit, përmirësimin e infrastrukturës energjetike dhe lehtësimin e kostove për familjet shqiptare.

01.04.2026. 16:24

Vendimet e qeverisë: 100 mln lekë për bizneset, tekste falas për 9 mijë nxënës dhe nënstacion energjie në Tiranë

Qeveria ka miratuar një sërë vendimesh që synojnë mbështetjen e biznesit, përmirësimin e infrastrukturës energjetike dhe lehtësimin e kostove për familjet shqiptare. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj njoftoi se është miratuar një fond prej 100 milionë lekësh për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me synim rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin ekonomik. Ajo theksoi gjithashtu se në një afat të shkurtër dhe afatmesëm synohet eliminimi i plotë i dokumenteve shkresore, duke kaluar drejt një administrate tërësisht të digjitalizuar.

“Në një kohë afatmesme, por të shkurtër, do të eliminojmë të gjitha dokumentet shkresore. Akti i dytë që u miratua lidhet po ashtu me procesin e integrimit europian, ne përmbyllim të gjitha pikat e aktit 30.në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, si dhe me vendosjen e mekanizmave për shqyrtimin e investimeve nga vendet jo-anëtare të BE-së, veçanërisht në sektorët e medias dhe mbrojtjes. Akti i tretë lidhet me mbështetjen për bizneset e vogla dhe mesme, ne miratuam një fond prej 100 milionë lekësh, i cili do të akordohet për mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, tha Ibrahimaj.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se qeveria ka vendosur financimin e teksteve shkollore falas edhe për klasat e 4-ta dhe të 5-ta. Nga ky vendim pritet të përfitojnë rreth 9 mijë nxënës dhe familjet e tyre, duke ulur ndjeshëm shpenzimet. Sipas saj, e njëjta skemë do të zgjerohet gradualisht edhe për klasat më të larta.

“Qeveria miratoi dy propozime. E para ka të bëjë me arsimin parauniversitar ku u miratua financimi nga buxheti i shtetit për klasën e 4-t dhe të 5-të fillore të teksteve falas të reja. Nëse i kishim deri në klasë të 3-të, shtuam sot edhe dy klasa të tjera. Bëhet fjalë për 9 mijë nxënës, rreth 9 mijë familje nuk do ta kenë më blerjen e librave barrë në buxhetin e tyre. Do të procedohet me të njëjtën logjikë një herë në 3 vjet edhe për klasën e 6-të e deri në të 9-ën. Vendimi i dytë ka të bëjë me arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, ku u miratua mënyra si llogaritet buxhetimi dhe financimi nga institucione që kryejnë kërkim shkencor”, deklaroi Kumbaro.

Në fushën e infrastrukturës energjetike, ministri Enea Karakaçi njoftoi se brenda pak muajsh pritet të nisë ndërtimi i një nënstacioni të ri në qendër të Tiranës, në bashkëpunim me OSHEE dhe BERZH. Projekti parashikon një strukturë nëntokësore me tre transformatorë, që do të përmirësojë ndjeshëm sigurinë e furnizimit me energji në kryeqytet.

“Nënstacioni i qendrës hyn te asetet më të rëndësishme për sigurinë e furnizimit me energji të Tiranës. Jemi në faza të avancuara, projekti është për të ndërtuar një nënstacion të ri në qendër, nëntokë dhe me tre transformatorë. OSHEE është në fazën e shpalljes së fituesit, që ndiqet edhe nga BERZH në këtë proces, do të fillohet me ndërtimin brenda pak muajsh”, tha ministri Karakaçi.

Po ashtu, ai bëri me dije se po shqyrtohen edhe masat për çmimin e biletave të transportit urban, pas takimeve me përfaqësues të sektorit dhe autoritetet vendore, për të vlerësuar ndryshime të mundshme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)