Makinën ia mori nënës, i iku patrullës dhe përplasi dy efektivë, policia sqaron ndjekjen e 14-vjeçarit në Vlorë

Policia e Vlorës ka sqaruar përmes një njoftimi për mediat ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku një 14-vjeçar terrorizoi qytetin, teksa drejtonte rrezikshëm makinën e nënës së tij dhe nuk iu bind urdhrit për ndalim. I mituri në fund përplasi edhe një makinë policie duke plagosur dy efektivë.

01.04.2026. 14:25

Makinën ia mori nënës, i iku patrullës dhe përplasi dy efektivë, policia sqaron ndjekjen e 14-vjeçarit në Vlorë

Policia në Vlorë ka dalë me një deklaratë ku sqaron incidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku dy efektivë mbetën të lënduar pas ndjekjes në rrugët e qytetit të një automjeti që drejtohej nga një 14-vjeçar.

Sipas Bluve të qytetit bregdetar, i mituri që drejtonte mjetin në mënyrë të rrezikshme dhe nuk ju bind urdhrit të efektivëve për ndalim është arrestuar në flagrancë pasi përplasi automjetin e policisë.

“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me oficerin e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Vlorës, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të një shtetasi 14 vjeç. Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, rreth mesnatës, në lagjen “24 Maji”, kanë konstatuar një automjet që drejtohej nga i mituri, i cili po kryente manovra të rrezikshme në rrugë. Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë për ndalim, por drejtuesi nuk i është bindur urdhrit, ka rritur shpejtësinë dhe ka tentuar të godasë shërbimet e Policisë me automjet.

Pas disa minutash ndjekjeje, në vendin e quajtur “Kinoteatri”, shërbime të tjera Policie i kanë bërë sërish shenjë për ndalim, por ai ka vijuar lëvizjen dhe ka goditur automjetin e Policisë, duke shkaktuar dëmtimin e 2 punonjësve të Policisë në detyrë”, informon policia.

Uniformat Blu shtojnë më tej se në vijim të ndjekjes, i mituri ka braktisur automjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe vënë në pranga nga efektivët që ndodheshin në vendngjarje.

Po ashtu bëhet me dije se i është pezulluar leja e drejtimit nënës së 14-vjeçarit, pasi makina që djali drejtonte ishte në pronësi të saj. Ndërkohë dy punonjësit e policisë që mbetën të dëmtuar morën ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

“Veprimet procedurale u kryen në prani të psikologut, mbrojtësit ligjor dhe nënës së të miturit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për trajtimin e të miturve. Automjeti që drejtonte 14-vjeçari u bllokua, ndërsa pronares së automjetit (nënës së tij) iu pezullua leja e drejtimit dhe iu vendos masë administrative, sipas parashikimeve të Kodit Rrugor. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale: “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, ‘Shkatërrimi i pronës’”, informon më tej policia.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)