Dy ish-zyrtarë të AMP në gjyq për shpërdorim detyre, zbulohet punësim i paligjshëm pas atentatit në Rinas

Të pandehurit janë A.S., ish-drejtori i përgjithshëm i komanduar i AMP-së dhe G.S., ish-drejtori i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse.

01.04.2026. 16:44

Dy ish-zyrtarë të AMP në gjyq për shpërdorim detyre, zbulohet punësim i paligjshëm pas atentatit në Rinas

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy ish-zyrtarë të lartë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të akuzuar për veprën penale “shpërdorim detyre”. Të pandehurit janë A.S., ish-drejtori i përgjithshëm i komanduar i AMP-së dhe G.S., ish-drejtori i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse.

Sipas organit të akuzës, ata kanë mundësuar punësimin e paligjshëm të Muçi Shaljanit alias “Sheqeri”. Hetimet zbuluan se Shaljani, i cili humbi jetën më 15 nëntor 2025, disa ditë pas atentatit pranë rrethrrotullimit të Rinasit ndaj Gilmando Danit, ishte emëruar në AMP pa ndjekur asnjë nga procedurat ligjore të detyrueshme.

Ai kishte nisur punë në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore vetëm 4 ditë përpara atentatit të bujshëm. Sipas Prokurorisë, punësimi i tij është kryer në shkelje të rregullores së institucionit, duke anashkaluar hapat standardë si shpallja e vendit vakant, ngritja e komisionit të vlerësimit, testimet, verifikimet dhe përzgjedhja përfundimtare.

Nga hetimet rezulton se dokumentacioni për punësimin është përgatitur nga G.S., ndërsa vendimmarrja është marrë nga A.S. Urdhri i punësimit është justifikuar me “nevoja emergjente”, por sipas verifikimeve nuk ka pasur asnjë kërkesë reale nga strukturat përkatëse për një rekrutim të tillë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)