“Hormuzi nuk hapet”, negociatori Iranian: Është shkelur armëpushimi

Përmes një postimi në rrjetin social X, ai u shpreh se kundërshtarët “nuk arritën objektivat përmes agresionit ushtarak dhe nuk do t’i arrijnë përmes presionit”

Burimi: BBC

22.04.2026. 22:44

“Hormuzi nuk hapet”, negociatori Iranian: Është shkelur armëpushimi

Negociatori kryesor i Iranit në bisedimet me SHBA-në, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se rihapja e Ngushticës së Hormuzit nuk është e mundur për sa kohë që armëpushimi po shkelet.

Në një reagim publik, ai akuzoi SHBA-në për bllokadën detare ndaj porteve iraniane, duke e cilësuar këtë veprim si “marrje peng e ekonomisë globale”. Ghalibaf kritikoi gjithashtu Izraelin i cili sipas tij, po nxit luftë në të gjitha frontet.

Përmes një postimi në rrjetin social X, ai u shpreh se kundërshtarët “nuk arritën objektivat përmes agresionit ushtarak dhe nuk do t’i arrijnë përmes presionit”, duke theksuar se rruga e vetme përpara është njohja e të drejtave të popullit iranian.

Ndërkohë, pritej që Ghalibaf të zhvillonte bisedime me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance në Pakistan gjatë kësaj jave, por ato janë shtyrë për një afat të pacaktuar.

Një ditë më parë, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi zgjatjen e armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, i cili pritej të përfundonte sot. Megjithatë, tensionet mbeten të larta, pasi autoritetet iraniane deklaruan se kanë sekuestruar dy anije mallrash në ngushticën strategjike.

Hormuzi është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës, dhe çdo përshkallëzim në këtë zonë rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)