Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka firmosur një valë ndryshimesh në strukturat drejtuese të institucionit, duke prekur disa nga sektorët më të rëndësishëm, përfshirë Drejtorinë Operacionale, Antiterrorin dhe drejtoritë vendore në qarqe.
Në kuadër të këtyre lëvizjeve, Alban Dautaj është emëruar në krye të Drejtorisë Operacionale. Ai vjen në këtë detyrë pas drejtimit të strukturës së Antiterrorit. Në vend të tij, në krye të Antiterrorit është caktuar Edmond Sulaj.
Ndryshime janë bërë edhe në nivel vendor. Besmir Dervishi është liruar nga detyra e zv.drejtorit në Tiranë dhe është emëruar shef i krimeve në Kukës. Ndërkohë, vendin e tij në kryeqytet e zë Oliger Torba, i cili më parë shërbente si zv.drejtor i policisë në Fier.
Lëvizje ka pasur edhe në nivel komisariatesh. Ermal Kënaçi, ish-shef i Komisariatit nr. 2 në Tiranë, është transferuar në Kukës.
Në strukturat e hetimit ekonomik, Gent Ndoj, i cili mbante detyrën e drejtorit për Hetimin e Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme, është transferuar në Dibër.
Këto ndryshime vijnë në kuadër të një riorganizimi të brendshëm të Policisë së Shtetit, me synimin për rritjen e eficiencës dhe forcimin e strukturave kyçe të sigurisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)