Vodhi 12% të GDP-së së vendit, dënohet 19 vite oligarku

Hetimet tregojnë se fondet e përvetësuara janë përdorur për blerje luksoze, përfshirë një avion privat Embraer Legacy 650.

Burimi: BBC

22.04.2026. 23:13

Vodhi 12% të GDP-së së vendit, dënohet 19 vite oligarku

Ish-oligarku moldav Vlad Plahotniuc është dënuar me 19 vite burg për përfshirje në një nga skandalet më të mëdha financiare në historinë e Moldavisë, e njohur si “vjedhja e shekullit”.

Vendimi u shpall nga një gjykatë vendase, e cila e gjeti atë fajtor për rolin e tij në mashtrimin bankar të viteve 2014–2015, ku u zhdukën rreth 1 miliard dollar, afërsisht 12% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit në atë kohë.

Sipas prokurorëve, Plahotniuc ka përfituar personalisht mbi 40 milionë dollarë nga kjo skemë dhe është urdhëruar të dëmshpërblejë shtetin me rreth 60 milionë dollarë. Ai nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit dhe përmes avokatëve ka mohuar çdo akuzë, duke paralajmëruar apelim të vendimit.

Hetimet tregojnë se fondet e përvetësuara janë përdorur për blerje luksoze, përfshirë një avion privat Embraer Legacy 650, prona të shumta dhe shpenzime për shërbime të ndryshme personale dhe biznesi.

Skandali përfshinte transferimin e fondeve përmes kompanive të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar dhe Hong Kong, me pronarë të panjohur. Një pjesë e madhe e parave përfundoi në kompani të lidhura me oligarkun pro-rus Ilan Shor.

Plahotniuc u largua nga vendi në vitin 2019 pas humbjes së pushtetit politik dhe u arrestua në Athinë në vitin 2025, për t’u ekstraduar më pas në Moldavi. Çështja mbetet një simbol i korrupsionit të lartë në vend dhe një sfidë për drejtësinë moldave.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)