Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka zhvilluar ditët e fundit disa takime me efektivët e Policisë Rrugore në Tiranë dhe drejtues të strukturave të rendit në qarqe, ku ka kërkuar një qasje të re në menaxhimin e trafikut dhe forcimin e sigurisë rrugore në vend.
Gjatë këtyre takimeve, Hita theksoi nevojën për shmangien e ndalimeve të pajustifikuara të automjeteve në akset nacionale, duke orientuar strukturat drejt përdorimit më të gjerë të teknologjisë moderne. Ai nënvizoi rëndësinë e radarëve, pajisjeve për matjen e shpejtësisë dhe dronëve si mjete efektive për monitorimin dhe kontrollin e trafikut.
Një tjetër kërkesë e rëndësishme ishte përpunimi i shpejtë i masave administrative, të cilat sipas tij duhet të hidhen në sistem brenda ditës për të rritur efikasitetin dhe transparencën.
Në fokus të veçantë u vendosën edhe kontrollet në zonat urbane, ku u kërkua rritje e rigorozitetit ndaj parkimeve të gabuara, shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, drejtimit të automjeteve në gjendje të dehur, si dhe ndaj mjeteve të modifikuara që krijojnë zhurmë dhe rrezik për përdoruesit e rrugës.
Drejtori i Përgjithshëm vuri theksin edhe te përgatitjet për sezonin turistik, siguria pranë institucioneve arsimore dhe bashkëpunimi mes strukturave të ndryshme policore, përfshirë Patrullat e Përgjithshme dhe njësinë “Shqiponjat”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)