Vigjilja e Pashkës Katolike, besimtarët kremtojnë “Udhën e Kryqit”

Dhjetëra qytetarë morën pjesë në këtë ritual simbolik, duke ndjekur 14 stacionet që përfaqësojnë rrugëtimin e Jezu Krishtit drejt kryqëzimit.

03.04.2026. 22:17

Vigjilja e Pashkës Katolike, besimtarët kremtojnë “Udhën e Kryqit”

Në vigjilje të festës së Pashkës, besimtarët katolikë kanë përkujtuar një nga momentet më domethënëse të besimit të tyre: “Udhën e Kryqit”. Kjo u realizua përmes një ceremonie të zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Dhjetëra qytetarë morën pjesë në këtë ritual simbolik, duke ndjekur 14 stacionet që përfaqësojnë rrugëtimin e Jezu Krishtit drejt kryqëzimit. Procesioni përfshiu momente reflektimi mbi vuajtjet dhe sakrificën, duke nisur nga dënimi me vdekje deri te ecja me kryqin.

Foto: LSA

Pjesëmarrësit, të cilët mbanin qirinj në duar, ndoqën me përkushtim çdo ndalesë, duke krijuar një atmosferë solemne dhe ishin të përqendruar në lutje. Ceremonia u drejtua nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj i cili përcolli edhe një mesazh për shoqërinë.

Foto: LSA

Ai u ndal veçanërisht te sfidat që përballen të rinjtë sot, duke theksuar rreziqet e varësive, kriminalitetit dhe humbjes së vlerave në një shoqëri të ndikuar nga materializmi dhe individualizmi. Sipas tij, është e rëndësishme që njerëzit të mos humbasin kuptimin e jetës dhe aftësinë për ta vlerësuar atë, edhe në momente vështirësish.

“Të lutemi për të rinjtë e varur nga droga, të prekur nga kriminaliteti dhe që e kanë humbur busullën. Lutemi pë rata që nga idhujtaria narciste e kanë humbur aftësinë të shijojnë jetën. Pavarësisht sprovave, jeta ia vlen të jetohet. Kjo edhe kur gjërat nuk shkojnë mire”, tha Imzot Arjan Dodaj. “Udha e Kryqit” kremtohet çdo vit në prag të Pashkës dhe përfaqëson një moment reflektimi të thellë shpirtëror për besimtarët e krishterë, duke paraprirë festën e Ngjalljes së Krishtit.

Foto: LSA

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)