Zjarri që shkrumboi 71 apartamente, Këshilli Bashkiak miraton ndihmën për familjet

Kjo ndihmë do të jetë e disponueshme deri sa pallati të rikontruktohet totalisht, gjë që është marrë përsipër nga ndërtuesi.

22.04.2026. 18:28

Zjarri që shkrumboi 71 apartamente, Këshilli Bashkiak miraton ndihmën për familjet

Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur këtë të mërkurë ku mes disa vendimeve të miratuara ishte dhe ai për ndihmën për 71 familjet e prekura nga zjarri që shkrumboi pallatin në kompleksin “Arlis”.

Me shumicë votash, anëtarët e këshillit miratuan bonusin e qirasë prej 40 mijë lekësh që do të përfitojë çdo familje e prekur.

Kjo ndihmë do të jetë e disponueshme deri sa pallati të rikontruktohet totalisht, gjë që është marrë përsipër nga ndërtuesi.

Përfituesit do të duhet të dorëzojnë në njësinë administrative dokumentin e identifikimit, certifikatën familjare, dokumentin e pronësisë dhe një vërtetim nga Kadastra që nuk kanë banesë tjetër.

Ndihma financiare do të monitorohet çdo muaj dhe do të ndërpritet në momentin që familjet sistemohen përfundimisht në banesat e rikonstruktuara.

Zjarri që përfshiu pallatin më 14 prill nisi aksidentalisht nga disa kartona që u ndezën nga disa fëmijë për t’u përhapur me shpejtësi në të gjithë fasadën. Dhjetëra zjarrfikës dhe punonjës punuan për orë të tëra për të vënë flakët në kontroll, ndërkohë që një hetim ka nisur për ngjarjen.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)