Ish-kryebashkiaku i Himarës rikthehet në burg 7 muaj pasi la qelinë

Sipas përllogaritjeve të SPAK, ish-kryebashkiakut i kanë mbetur edhe 6 muaj e 10 ditë për të vuajtur nga dënimi.

01.04.2026. 11:00

Ish-kryebashkiaku i Himarës rikthehet në burg 7 muaj pasi la qelinë

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është rikthyer në burg pas një vendimi të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Policia e Vlorës ka ekzekutuar masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi Goro u paraqit në komisariat, duke shënuar kështu rikthimin e tij në qeli vetëm 7 muaj pas lirimit.

Sipas përllogaritjeve të SPAK, ish-kryebashkiakut i kanë mbetur edhe 6 muaj e 10 ditë për të vuajtur nga dënimi.

Vendimi i Apelit konfirmoi dënimin me 2 vite burg, i cili ishte reduktuar në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, për një çështje që lidhet me tjetërsimin e një prone në zonën e Livadhit, për të cilën ai ishte shpallur fajtor edhe më herët nga Shkalla e Parë.

Më parë, Goro kishte përfunduar një tjetër periudhë dënimi prej 17 muajsh burg, si pjesë e një vendimi tjetër për tjetërsimin e rreth 10 mijë metrave katrorë tokë në Gjilek të Himarës.

Edhe në atë rast ai përfitoi ulje dënimi për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, çka çoi në lirimin e tij disa muaj më parë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)