Dhunohet barbarisht 17-vjeçari në Pogradec, arrestohen dy autorët që po e fusnin me forcë në makinë

Policia bën me dije se adoleshenti është dhunuar barbarisht nga autorët e dyshuar Marjo Xhangolli dhe Aljan Hilaj, e më pas kanë tentuar ta fusin në makinë me forcë.

01.04.2026. 11:42

Dhunohet barbarisht 17-vjeçari në Pogradec, arrestohen dy autorët që po e fusnin me forcë në makinë

Një konflikt për motive të dobëta mes dy persona dhe një 17-vjeçari në qytetin e Pogradecit ka agravuar deri në tentativë rrëmbimi.

Policia bën me dije se adoleshenti është dhunuar barbarisht nga autorët e dyshuar Marjo Xhangolli dhe Aljan Hilaj, e më pas kanë tentuar ta fusin në makinë me forcë.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë shihet se 17-vjeçari goditet me thikë në dorë nga dyshja e autorëve, të cilët tashmë ndodhen pas hekurave.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt në lagjen nr. 3, Pogradec, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec janë nisur drejt adresës së dhënë, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë. Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, u identifikuan shtetasit M. Xh. dhe A. H., të cilët ishin larguar nga vendngjarja, me automjet. Ata u kapën dhe u ndaluan në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Prrenjas. Nga hetimet dyshohet se këta dy shtetas kanë tentuar të marrin me forcë në automjetin e tyre, një 17-vjeçar me të cilin ishin konfliktuar për motive të dobëta, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe e kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në dorë”, njofton policia.

17-vjeçari ndërkohë ka marrë mjekimin e nevojshëm në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. Xh., 33 vjeç dhe A. H., 32 vjeç, banues në Pogradec, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim”, sqaron më tej policia.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)