“Po lexoj dosjen”, Veliaj nuk shkon në gjyq, përplasje mes SPAK dhe Plarent Ndrecës

Seanca e radhës gjyqësore në themel për dosjen 'Veliaj', ku janë marrë të pandehur kryebashkiaku i Tiranës dhe 29 të tjerë, është shtyrë. Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, duke argumentuar mosprezencën me leximin e dosjes 28 mijë faqe të SPAK.

01.04.2026. 10:34

“Po lexoj dosjen”, Veliaj nuk shkon në gjyq, përplasje mes SPAK dhe Plarent Ndrecës

Seanca në themel në Gjykata e Posaçme për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe 29 të pandehurit e tjerë është shtyrë sërish, mes mungesash dhe përplasjeje mes palëve në sallën e gjyqit.

Në seancë ishin të pranishëm prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dado, ndërsa vetë Veliaj nuk u paraqit me justifikimin se është duke lexuar dosjen prej 28 mijë faqesh të Prokurorisë së Posaçme. Sipas gjykatës, Veliaj pretendon se ende nuk është njohur plotësisht me dosjen hetimore dhe në shkresën drejtuar trupit gjykues, ai ka sqaruar se po shqyrton materialet dhe do të paraqitet pasi të jetë njohur me to.

Ai kishte depozituar një deklaratë ku kërkonte të përfaqësohej nga avokati i tij i ri, ish-deputetit socialist, Plarent Ndreca, i cili ishte i pranishëm në sallë.

Në seancë mungoi edhe bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa, e përfaqësuar nga mbrojtësit e saj ligjorë, ndërsa i vetmi i pandehur i pranishëm ishte biznesmeni Elman Abule.

Gjykata vendosi gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn dhe Abulen, ndërsa seanca e radhës u caktua më 3 prill, edhe për shkak të mungesës së gardianit Fatjon Baci për arsye shëndetësore.

Në seancë pati debat për kërkesën e mbrojtjes së biznesmenit Fatmir Bektashi për ndarjen e çështjes dhe gjykim të shkurtuar.

“Unë bëra kërkesë fare të thjeshtë edhe për ekonomi gjyqësore, por edhe referuar ligjit. Vlerësoj se jemi në momentin që gjykata të shprehet për ndarjen e çështjes për klientin tim Bektashi”, deklaroi në sallën e gjyqit, avokati i tij Sokol Hazizaj.

Nga ana tjetër, prokurori Ols Dado kundërshtoi ashpër zvarritjen që sipas tij Erion Veliaj po tenton t’i bëjë procesit.

“Kemi 8 muaj që nuk arrijmë dot të futemi në proces ligjor. Kjo është qartazi një strategji për të zvarritur procesin. Është sjellja e Erion Veliajt dhe avokatit të tij. E veçuar si kërkesë, kjo e Hazizaj nuk paraqet ndonjë interes për ekonominë gjyqësore, vetëm nëse kërkohet gjykim i shkurtuar. Kërkesën për ndarje të çështjes ndaj Fatmir Bektashit që kërkon avokati Sokol Hazizaj e shikojmë të pabazuar në ligj”, u shpreh prokurori i SPAK.

Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca teksa ju përgjigj shqetësimit të Ols Dados, u distancua nga kërkesa për ndarje të çështjes dhe kërkoi zhvillim të rregullt të procesit.

“Vetë prezenca ime këtu është jo për të shtyrë seancën, por për atë që Kushtetuta parashikon, një proces të rregullt ligjor. Patjetër që jemi për ekonomi gjyqësore, por jo në kurriz të të pandehurve. I bashkohem kërkesës për të shtyrë seancën nga avokati Artan Simoni, i cili mungon sot, se mendoj që duhet të merret parasysh që të jenë të gjithë në seancë. Nuk i bashkohem kërkesës së Sokol Hazizaj, sepse i përket një tjetër momenti procedural”, u shpreh Ndreca.

Në një deklaratë për mediat pasi la ambientet e sallës së gjyqit në GJKKO, Ndreca tha se Prokurori i Posaçëm, Ols Dado ka reaguar emocionalisht dhe sipas tij duket i dyshimtë nxitimi i organit të akuzës për të mos i dhënë kohë Veliajt të njihet me dosjen hetimore.

“Kishte një reagim emocional, që nuk janë në përputhje me rolin e prokurorit. Ka një proces, ku ka humbur një shkallë gjykimi duke mos i dhënë zotit Veliaj që të mbrohet. Por se kuptoj se gjithë ky nxitim! Nuk i është dhënë e drejta zotit Veliaj. Një avokat i sëmurë kërkoi që të shtyhej seanca. Lidhja e prokurorit me çështjen e Veliajt, është emocionale. Ne do të kemi një ekip ekspertësh jo vetëm avokatësh. Prokuroria ka pasur të gjitha burimet në dispozicion për të ndërtuar këtë çështje. Unë nuk e kam lexuar dosjen. As mua si mbrojtës nuk më është vënë në dispozicion dosja. Veliaj po e lexon dosjen me ritëm të lartë është gati të mbrojë çështjen dhe vetë, ka një gjendje të admirueshme. Kemi kërkesën që seancat të bëhen live. De facto Veliaj është i pezulluar nga detyra për shkak të masës së sigurisë. Veliaj është i vendosur të nxjerrë të vërtetën para qytetarëve që e kanë votuar për 3 mandate. Në seancë nuk ka qenë i pranishëm se sepse nuk është njohur me të gjithë dosje që është shumë voluminoze, po lexon deri në 200-300 faqe në ditë. Nxitimi po bëhet që procesi të mos jetë i rregullt”, deklaroi Ndreca.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)