Pasardhësi i Gennaro Gattuso, katër emra të mëdhenj në garë për stolin e Italisë

Me largimin e pritshëm të trajnerit actual, ideja është që drejtimi i Kombëtares t’i besohet një tekniku me përvojë dhe profil të lartë.

02.04.2026. 18:46

Pasardhësi i Gennaro Gattuso, katër emra të mëdhenj në garë për stolin e Italisë

Ndërsa Federata Italiane e Futbollit përgatitet për një cikël të ri pas dorëheqjes së presidentit Gabriele Gravina, në ambientet e FIGC po merr formë edhe profili i trajnerit të ardhshëm të Italisë. Me largimin e pritshëm të Gennaro Gattuso, ideja është që drejtimi i Kombëtares t’i besohet një tekniku me përvojë dhe profil të lartë.

Lista e kandidatëve përfshin katër emra të mëdhenj të futbollit italian: Antonio Conte, Roberto Mancini, Simone Inzaghi dhe Massimiliano Allegri. Megjithatë, të gjithë janë aktualisht nën kontratë me klubet e tyre, çka e bën operacionin të ndërlikuar.

Conte, i cili e ka drejtuar Italinë në Euro 2016 duke arritur deri në çerekfinale, do ta shihte me sy të mirë një rikthim, por mbetet për t’u parë nëse Aurelio De Laurentiis do ta lejojë largimin e tij nga Napoli, duke pasur parasysh kontratën që zgjat deri në vitin 2027. Një tjetër opsion është Inzaghi, aktualisht te Al-Hilal, me një kontratë të majme që e bën të vështirë çdo lëvizje.

Emri i Massimiliano Allegri është gjithashtu shumë i pëlqyer për shkak të stilit të tij pragmatik dhe rezultateve të qëndrueshme, që përputhen me nevojat aktuale të përfaqësueses italiane. Megjithatë, edhe këtu mbetet për t’u kuptuar qëndrimi i Milanit, me të cilin ai ka një kontratë afatgjatë. Në garë mbetet edhe Roberto Mancini, aktualisht te Al-Sadd. Ai nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer në stolin e Italisë pas eliminimit të dhimbshëm ndaj Maqedonisë së Veriut.

Kushdo që do të marrë drejtimin e Italisë do të përballet menjëherë me një kalendar të vështirë. Më 25 shtator nis Nations League, ku Italia do të luajë ndaj Belgjikës, Turqisë dhe Francës. Ndeshjet me system vajtje-ardhje pritet të testojnë menjëherë nivelin e ekipit. Ndërkohë, për dy miqësoret e muajit qershor, një zgjidhje e përkohshme mund të jetë Silvio Baldini, aktualisht në krye të ekipit U-21.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)