11 mijë euro një biletë për ndeshjet e Kupës së Botës!

Çmimet e biletave për finalen e Kupës së Botës 2026 kanë shkaktuar reagime të mëdha mes tifozëve, pasi FIFA ka vendosur tarifa shumë më të larta krahasuar me edicionet e mëparshme.

Burimi: The Guardian

02.04.2026. 19:05

11 mijë euro një biletë për ndeshjet e Kupës së Botës!

Çmimet e biletave për finalen e Kupës së Botës 2026 kanë shkaktuar reagime të mëdha mes tifozëve, pasi FIFA ka vendosur tarifa shumë më të larta krahasuar me edicionet e mëparshme.

Sipas njoftimit zyrtar, një biletë për finalen që do të zhvillohet në stadiumin “MetLife” në Nju Xhersi do të kushtojë deri në 10.990 dollarë, duke shënuar një rritje të ndjeshme nga 8.680 dollarë që ishte çmimi i paralajmëruar në dhjetor. Edhe kategoritë e tjera mbeten shumë të larta, me biletat e kategorisë së dytë që arrijnë në 7.380 dollarë dhe ato të kategorisë së tretë në 5.785 dollarë.

Për krahasim, në Kupën e Botës “Katar 2022”, bileta më e shtrenjtë për finalen kushtonte rreth 1.600 dollarë, çka tregon një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve për edicionin e ardhshëm.

FIFA ka përdorur modelin e ashtuquajtur të “çmimeve dinamike”, që ndryshojnë në varësi të kërkesës, por nuk ka dhënë detaje të plota mbi disponueshmërinë e biletave sipas ndeshjeve dhe kategorive. Kjo ka krijuar paqartësi dhe pakënaqësi tek tifozët.

Kritikat nuk kanë munguar as nga zyrtarët amerikanë. Një grup prej 69 anëtarësh të Kongresit të SHBA-së i kanë dërguar një letër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ku shprehin shqetësimin se kjo politikë e çmimeve bie ndesh me misionin e organizatës për ta bërë futbollin të aksesueshëm për të gjithë.

Ndërkohë, vetë Infantino ka theksuar se kërkesa për bileta është jashtëzakonisht e lartë, duke e krahasuar me “kërkesën për 1.000 vite Kupash Bote njëherësh”.

Rritja e çmimeve dhe përdorimi i sistemit dinamik pritet të ndikojnë ndjeshëm në aksesin e tifozëve, duke e bërë këtë Botëror një nga më të shtrenjtët në histori.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)