Arsyet përse kriza energjetike nuk do të përfundojë me armëpushimin në Iran

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol dha alarmin se pasojat e krizës energjetike do të ndihet ende për muaj, ndoshta edhe për vite.

09.04.2026. 14:46

Arsyet përse kriza energjetike nuk do të përfundojë me armëpushimin në Iran

Armëpushimi dyjavor në konfliktin e Lindjes së Mesme është një lajm inkurajues, por sipas drejtorit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (AIE), Fatih Birol pasojat e krizës energjetike do të ndihet ende për muaj, ndoshta edhe për vite. Ai shpjegon se rikthimi në gjendje të sigurt të impianteve që janë jashtë funksionit do të kërkojë kohë, ndërsa edhe transporti i naftës nga Gjiri Persik drejt tregjeve globale kërkon javë të tëra që të arrijë destinacionet nër vendet më të largëta të Azisë dhe Europës.

Birol paralajmëron se, ndërsa Europa mund të përballojë situatën për momentin, një mbyllje e gjatë e Ngushticës së Hormuzit do ta komplikojë furnizimin me karburante, veçanërisht naftë dhe vajguri. Ai parashikon që, nëse situata nuk zgjidhet shpejt nga mesi i majit mund të shfaqen kufizime, përfshirë edhe në trafikun ajror. Shumë prej infrastrukturave energjetike janë dëmtuar dhe rikthimi në nivelet para-konfliktit kërkon kohë dhe planifikim të kujdesshëm.

Edhe Komisioni Europian paralajmëron se kriza nuk do të jetë afatshkurtër. Pavarësisht armëpushimit, bllokimi i Hormuzit ka ndikuar tashmë dukshëm në furnizimet energjetike: rreth 8,5% e gazit të lëngshëm, si edhe rreth 7% e naftës bruto dhe produkteve të tjera të Bashkimit Europian kalojnë nga kjo rrugë.

Birol gjithashtu kundërshton vendosjen e një çmimi maksimal për benzinën, duke theksuar se mënyra më efektive është mbështetja financiare e grupeve të cenueshme të popullsisë, në mënyrë të përqendruar dhe të përkohshme, për të shmangur përfitimin e të pasurve nga çmimet e ulura. Kriza energjetike, sipas tij, do të kërkojë një qasje të qëndrueshme dhe afatgjatë, dhe nuk mund të pritet të zgjidhet shpejt.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)