Dy shtetas tunizianë, të moshës 19 dhe 22 vjeç, janë ndaluar nga autoritetet italiane në Palermo, të dyshuar për propagandë dhe mbështetje të terrorizmit.
Operacioni është zhvilluar nga skuadra “Digos”, nën koordinimin e prokurorëve të Antimafias. Sipas hetimeve, të rinjtë përdornin rrjetet sociale për të përhapur mesazhe që lavdëronin xhihadin dhe martirizimin fetar, si dhe kërcënonin “jobesimtarët” dhe qytetet e tyre.
Gjatë kontrollit të profileve të tyre, hetuesit zbuluan përmbajtje të shumta që, sipas prokurorisë, tregojnë një nivel të lartë radikalizimi.
Ndër materialet e shpërndara ishte edhe një video propagandistike me simbolikë të Shteti Islamik, ku shfaqeshin akte dhune ndaj personave të gjunjëzuar, të veshur me uniforma portokalli. Videoja shoqërohej me mesazhe kërcënuese në gjuhën arabe dhe angleze, të drejtuara ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj.
Prokurorët theksojnë se përdorimi i internetit është kthyer në një mjet të fuqishëm për propagandë, rekrutim dhe nxitje të akteve të dhunshme, veçanërisht në një klimë tensionesh ndërkombëtare, si konfliktet në Lindjen e Mesme.
Në kuadër të të njëjtit hetim, janë kryer edhe kontrolle ndaj disa të miturve në zonën e Marsala, të cilët dyshohet se kishin lidhje me të arrestuarit. Ata akuzohen për posedim të paligjshëm armësh zjarri.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)