Një deklaratë e shkruar që i atribuohet udhëheqësit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, është shpërndarë në të gjitha mediat shtetërore të vendit mbrëmjen e sotme.
Në mesazhin që vjen pas arritjes së armëpushimit dy javor me SHBA-të dhe Izraelin, ai thotë se Irani është "kombi fitimtar" i luftës dhe nënvizohet se do të çojnë menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit "në një fazë të re", pas specifikuar si.
Sipas deklaratës së Mojtaba Khameneit, regjimi në Teheran do të "kërkojë kompensim për çdo humbje të shkaktuar dhe dëme për të plagosurit në këtë luftë".
Po ashtu, Lideri Suprem u bën thirrje protestuesve pro-iranianë të dalin në rrugë sepse siç thotë Khamenei, "zërat tuaj të ngritur në sheshe publike kanë ndikim në rezultatin e negociatave".
“Irani nuk ka kërkuar kurrë luftë dhe ne nuk po kërkojmë luftë, por nuk do të tërhiqemi nga kërkimi i të drejtave tona legjitime në asnjë mënyrë, përfshirë të gjithë frontin e rezistencës”, thuhet më tej në letër.
“Ju, populli heroik i Iranit, ishit fituesit vendimtarë në këtë fushë beteje. Irani është sot në agim të transformimit të tij në një fuqi të madhe. Ne nuk do t’i lëmë pushtuesit kriminelë që sulmuan vendin tonë të pandëshkuar. Ne do të kërkojmë kompensim për të gjitha dëmet dhe për gjakun e martirëve tanë. Për fqinjët tanë jugorë: ju po dëshmoni një mrekulli - shikojeni drejt dhe qëndroni në anën e duhur. Kini kujdes nga premtimet e rreme të djajve. Ne do të hyjmë në një fazë të re në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit. Populli nuk duhet të braktisë rrugët pavarësisht negociatave me armikun”, shton Khamenei.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump tha në një intervistë me një gazetar izraelit se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu do t'i zbusë sulmet ndaj Libanit dhe do të ndjekë një linjë më të butë.
Pohimi i Trump vjen në një kohë kur Irani paralajmëroi se negociatat me SHBA-të mund të mos zhvillohen nëse sulmet e Izraelit ndaj Libanit vazhdojnë.
“Netanjahu do të bëjë një hap prapa në çështjen e Libanit. Netanjahu do të jetë mirë me Libanin. Ai do të zbutet pak atje. Ai ka një problem me Hezbollahun, por do të zbutet dhe do të jetë absolutisht mire”, ka thënë Trump.
Kjo bisedë telefonike e Trump u zhvillua përpara se Netanjahu të miratonte fillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta me Libanin. Në intervistë, presidenti shprehu gjithashtu optimizëm për arritjen e një "marrëveshjeje shumë të suksesshme", me sa duket duke pasur parasysh bisedimet SHBA-Iran, të planifikuara të fillojnë të shtunën në Islamabad të Pakistanit.
“Do të kemi një marrëveshje shumë të suksesshme. Do të jetë shumë mirë, gjithçka do të jetë shumë mirë. Netanjahu mbështet marrëveshjen e armëpushimit me Iranin. Ai nuk ka problem me ta”, tha Trump.
Po ashtu, duke folur në një intervistë me median amerikane NBC News para deklaratës së udhëheqësit suprem të Iranit, Trump po ashtu konfirmoi se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu do të "zvogëlojë" sulmet ndaj Libanit përpara negociatave të ardhshme midis Iranit dhe SHBA-së.
“Fola me Bibin dhe ai do të ulë tonet. Mendoj se duhet të jemi pak më të qetë", tha Trump për NBC News pas një telefonate me Netanjahun.
Presidenti amerikan thotë gjithshtu se Irani po "pajtohet me të gjitha gjërat për të cilat duhet të bjerë dakord" dhe zyrtarët e tij po janë "shumë më të arsyeshëm" kur nuk flasin me shtypin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)